Shefi i stafit të Albin Kurtit e quan serialin ‘Çka ka shpija’ degjenerues, Naser Rafuna i kthen përgjigje

Mbrëmë pas një kohe të gjatë u kthye në vizion seriali ‘Çka ka shpija’ pasi xhirimet ishin pezulluar për shkak të pandemisë, por më shumë se episodi u përfol deklarata e shefit të stafit të Albin Kurtit, Luan Dalipit.

Ai me një postim të bërë në Facebook e quan serialin si jo edukativ dhe degjenerues, ndonëse është një nga projektet më të ndjekura në rajon. Pas deklaratës së tij ka reaguar aktori dhe skenaristi Naser Rafuna duke i thënë ndoshta seriali është vetëm një pretekst i tij dhe problemet i ka me televizionin.

“I nderuar, unë jam Naser Rafuna dhe luaj ne këtë serial. Rastësisht pak me pare me lajmëruan për statusin tuaj dhe tash edhe e morra vesh se kush je, ngase çështjet politike e aq me pak pozitat politike, si aktor me interesojnë vetëm ne pikat “tallëse -humoristike” e dimë qe e bëjmë mire, prandaj te sugjeroj: mos u bo personazh”, ka shkruar aktori i njohur.

Tutje Rafuna shkruan “Nëse ke problem me vet televizionin dhe pretkest ke gjetë serialin apo emisionin më të shikuar të tij kjo është diçka tjetër e i kuptojmë, po ta them na e shtove motivin për punë prandaj shfrytëzo vërtetë pozitën që ke për motiv të mbajtësve të kulturës, sepse para se me lind ti e unë, njerëzit e kësaj kulture që paske filluar me i bë “roje” kanë qenë në Cannes e Oscars me filmat e tyre si Bekim Fehmiu”.