Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, ka thënë se “fuqia e sulmit” po vjen për Ukrainën, nëpërmjet blerjeve të armëve amerikane nga vendet evropiane, por ende nuk është e qartë nëse kjo përfshin raketat Tomahawk të prodhuara në Amerikë.
“Fuqia e sulmit, kjo është ajo që po vjen”, ka thënë Hegseth, duke mbështetur komentet e shefit të NATO-s, Mark Rutte, teksa ministrat e Mbrojtjes të aleancës së sigurisë u mblodhën të mërkurën në Bruksel.
Ai ka shtuar se zotimet e bëra nga vendet evropiane së shpejti do të shndërrohen në “aftësi” për Ukrainën.
Blerjet e armëve po bëhen në kuadër të iniciativës së re të Listës së Kërkesave me Prioritet për Ukrainën (PURL), për të cilën tashmë janë zotuar 2 miliardë dollarë. Këto mjete pritet të ndahen për pajisje ushtarake për Ukrainën.
Ukraina dëshiron që vendet evropiane të jenë në gjendje të blejnë raketa të sofistikuara Tomahawk me rreze të gjatë veprimi sipas këtij mekanizmi, por ky vendim i takon presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të kërkojë raketat amerikane “Tomahawk” të cilat do t’i mundësonin Kievit të godiste thellë brenda Rusisë dhe potencialisht ta vendoste Moskën brenda rrezes së veprimit, kur të takohet me Trumpin të premten në Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi ka lënë të kuptohet ditë më parë se mund të jetë i gatshëm t’i japë Ukrainës raketa Tomahaëk, teksa durimi i tij me presidentin rus, Vladimir Putin për luftën po shkon duke u pakësuar.