Shefi i NATO-s ia përmend Vuçiqit sulmin terrorist në Banjskë

Shefi i NATO-s Mark Rutte ka takuar sot presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Kopenhagë.

Në një postim në rrjetin X, Rutte ka theksuar se me Vuçiq kanë diskutuar bashkëpunimin midis NATO-s dhe Serbisë, si dhe rëndësinë e llogaridhënies për sulmet ndaj KFOR-it dhe dhunën në Banjska.


Pak pas mesnatës së 24 shtatorit 2023, rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulmin terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.

Në fshatin rreth 18 kilometra nga Mitrovica, krismat u dëgjuan pothuajse deri në mesditë. Forcat speciale qëlluan për vdekje tre terroristë serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.

Grupi prej rreth 50 personave që udhëhiqej nga kryeterroristi, Milan Radoiçiq – i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore dhe Interpoli, si i përfshirë në vrasje, me veshje ushtarake ishte vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq. Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale kryerja e veprës terroriste dhe veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.

Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës. Seancat e radhës pritet të mbahen më 20, 21 dhe 27 tetor, ku do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë.

Terroristët serbë prapa vetës lanë shumë dëshmi e gjurmë përfshirë video-incizime të dronëve, komunikime të telefonave mes anëtarëve të grupit terrorist, kamera të sigurisë, fotografi e qindra dokumente, raporton KosovaPress.

Një ditë pas përfundimit të operacionit, policia kishte ekspozuar krejt çfarë gjeti në Banjskë, përfshirë artileri të rënda, automjete të blinduara, granat-hedhës, radio-marrës dhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e sulmit terrorist në Banjska.