Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, priti në një takim studentin nga Maqedonia e Veriut, Mevlan Ademi, me të cilin zhvilloi një bisedë mbi çështjet që lidhen me të drejtat gjuhësore dhe angazhimin qytetar të rinisë. Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit dëgjoi me vëmendje kërkesat e studentëve, të cilët kanë qenë aktivë në organizimin e manifestimeve paqësore në Maqedonia e Veriut. Këto kërkesa lidhen kryesisht me respektimin e plotë të të drejtave për përdorimin e gjuhës amtare, transmeton Portalb.mk.
Ministri theksoi rëndësinë e zbatimit të qartë dhe konsekuent të Marrëveshja e Ohrit, duke e cilësuar atë si themel të barazisë dhe të funksionimit efektiv të shtetit në një shoqëri multietnike.
“Prita dhe zhvillova një bisedë me z. Mevlan Ademi, një nga studentët udhëheqës të manifestimeve paqësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me të drejtat gjuhësore. Dëgjova me vëmendje kërkesat e tyre për respektimin e plotë të të drejtave për përdorimin e gjuhës amtare, në kuadër të zbatimit të qartë, të paekuivok dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, si themel i barazisë dhe i funksionimit efektiv të shtetit në një shoqëri multietnike”, shkroi Hoxha.
Ai nënvizoi gjithashtu se një nga elementët thelbësorë të demokracisë është dëgjimi i zërit të rinisë dhe përfshirja e saj në proceset vendimmarrëse. Sipas Hoxhës, përkthimi i kërkesave të qytetarëve në politika konkrete është kyç për garantimin e barazisë dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Në përfundim, ministri vlerësoi se mbështetja ndaj këtyre vlerave kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e institucioneve demokratike dhe në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
“Një nga veçoritë themelore në demokraci është të dëgjohet zëri i rinisë dhe angazhimi qytetar për t’i përkthyer ato në politika konkrete që garantojnë barazi dhe standarde evropiane. Mbështetja për këto vlera është thelbësore në funksionimin dhe forcimin e institucioneve demokratike, dhe për një të ardhme më të mirë, më të drejtë, të bazuar në ligj dhe gjithëpërfshirëse”, shkroi Hoxha.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.
Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.
Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.
Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.
Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.



