Ish-kryeinspektori i AKI-së dhe analisti i sigurisë, Burim Ramadani, ka publikuar një reagim ku rikujton zhvillimet që nga arratisja e Milan Radoiçiqit, duke e cilësuar atë “kryeterroristin e mbështetur nga Serbia” dhe duke theksuar se ai nuk ka qenë i lirë në Kosovë që nga fundi i vitit 2018.
Ramadani rikujton se më 23 nëntor 2018, tre javë para votimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, njësitë speciale të Policisë së Kosovës bastisën banesën e Radoiçiqit, por ai kishte ikur pak para aksionit.
“Kurrë më nuk u kthye i lirë në Kosovë. Erdhi, të paktën, dy herë maleve,” shkruan Ramadani.
Sipas tij, ardhja e parë ishte më 4-5 korrik 2022, kur Radojçiq publikoi një video kërcënuese dhe u largua sërish pa u kapur.
Ardhja e dytë, sipas Ramadanit ishte më 24 shtator 2023, kur ai udhëhoqi rreth 90 persona të armatosur në sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Iku nga aty maleve, nën snajperin e shtetit të Kosovës,” theksoi Ramadani.
Ai shton se, ndonëse shpesh është prezantuar si organizator kryesor i strukturave kriminale në veri, Radoiçiq nuk ka qenë vendimmarrësi i nivelit më të lartë.
“Shefi i tij është Aleksandar Vuçiq, ndërlidhësi me Rusinë është Aleksandar Vulin, ndërsa Milan Radoiçiq është kryeterroristi në terren,” shkruan ai.
Ramadani përkujton gjithashtu se Radoiçiq është vendosur në Listën e Zezë të SHBA-së më 8 dhjetor 2021, ndërsa më 11 shtator 2024 është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës. /Telegrafi/




