SHBA-të transferojnë armë shtesë bërthamore në Britani?

Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa kanë vendosur armë shtesë bërthamore në Britani për herë të parë që nga viti 2008, duke i dërguar një sinjal udhëheqësit rus Vladimir Putin në lidhje me angazhimin e saj ndaj sigurisë evropiane.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, më 16 korrik, një avion transporti ushtarak amerikan C-17 me transponderin e tij të ndezur, duke lejuar gjurmimin e tij, fluturoi nga një depo bërthamore amerikane në Bazën e Forcave Ajrore Kirtland në Albuquerque, New Mexico, në një bazë ajrore në qytetin britanik të Forcave Ajrore Mbretërore Lakenheath.

Më parë, ky avion fluturonte mbi territorin e SHBA-së vetëm si pjesë e Forcës Kryesore të Transportit Ajror Bërthamor (PNAF), e cila është përgjegjëse për transportin ajror të komponentëve të armëve bërthamore, duke përfshirë edhe kokat bërthamore.

Britania është një nga pesë fuqitë bërthamore sipas Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore.

Arsenali i vendit përbëhet nga afërsisht 225 koka bërthamore, nga të cilat rreth 120 janë të vendosura në nëndetëse të klasit Vanguard.

Në vitin 2008, SHBA-të tërhoqën armët e tyre taktike bërthamore nga Baza Ajrore Lakenheath, ku ruheshin bombat ajrore B61 të projektuara për avionë luftarakë.

Kujtojmë se Trump pati një takim me kryeministrin Keir Starmer në klubin e tij të golfit Turnberry në Skoci gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar të hënën.