SHBA përpiqet të kapë tankerin rus në mes të Atlantikut

Shtetet e Bashkuara po kryejnë një operacion për të kapur tankerin me flamur rus Marinera, i njohur më parë si Bella 1, tregojnë raportimet e para nga agjencitë ndërkombëtare.

Tankeri ka kaluar më shumë se dy javë duke u përpjekur të shmangë një bllokadë amerikane të vendosur për të sekuestruar anijet e lidhura me naftën e vendosur nën sanksione.

Anija, që nisi udhëtimin nga Irani dhe kishte për qëllim të shkonte në Venezuelë për të marrë naftë, është pjesë e ashtuquajturit “shadow fleet” – një rrjet anijesh që transporton naftë për Rusinë, Iranin dhe Venezuelën pavarësisht sanksioneve amerikane dhe aleate.

Në dhjetor, ekuipazhi i Marinera-s i ka shpëtuar një tentative amerikane për t’u ngjitur në bord pranë ujërave venezuelase, pastaj ka ndryshuar drejtimin dhe është nisur drejt Atlantikut.

Për të kërkuar mbrojtje, anija u ritregua nën flamurin rus dhe u regjistrua zyrtarisht në regjistrin detar të Rusisë me emrin Marinera, një lëvizje që ka komplikuar përpjekjet për kapje.

Sipas raportimeve, Rusia ka dërguar një nëndetëse dhe anije të tjera luftarake për të shoqëruar tankerin ndërsa ai lundron drejt veriut, ndoshta drejt portit rus të Murmanskut, ndërkohë që SHBA ndjek nga afër anijen në Atlantikun e Veriut.

Të dhënat e gjurmimit të anijes tregojnë se ajo ka arritur pranë zonës ekskluzive ekonomike të Islandës, ndërsa aktiviteti i forcave amerikane përfshin edhe avionë patrullimi dhe pajisje ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar.

Rusia ka protestuar diplomatikisht dhe ka kërkuar që SHBA të ndalojë ndjekjen, duke argumentuar se anija tani është nën mbrojtjen e saj.