SHBA nis sulme ajrore në Siri

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka kryer disa sulme ajrore në Siri, duke shënjestruar objektiva të grupit militant Shteti Islamik (ISIS). Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) tha se sulmet u zhvilluan të shtunën pasdite, në bashkëpunim me forcat partnere në terren.

Këto veprime janë pjesë e operacionit “Hawkeye Strike”, i nisur më 19 dhjetor 2025 me urdhër të presidentit Donald Trump, si përgjigje ndaj sulmit të ISIS-it në Palmyra, Siri, më 13 dhjetor, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.

Në deklaratën zyrtare, CENTCOM theksoi se sulmet synojnë të çrrënjosin terrorizmin islamik, të parandalojnë sulme të ardhshme dhe të mbrojnë trupat amerikane dhe aleate në rajon. “Mesazhi ynë mbetet i qartë: nëse dëmtoni trupat tona, ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju eliminojmë kudo në botë,” thuhet në komunikatë.

Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje mbi viktimat e mundshme nga këto sulme. Megjithatë, operacioni konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë kundër ISIS-it në muajt e fundit.

Ndryshe, i dërguari special i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, tha se u takua në Damask me udhëheqjen e re të Sirisë për të diskutuar të ardhmen e vendit.

“Sot, në emër të presidentit Donald J. Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, u takova me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Ministrin e Jashtëm Asaad al-Shaibani dhe anëtarët e ekipit të tyre në Damask”, shkroi Barrack.

Barrack tha se bisedimet u përqendruan në “zhvillimet e fundit në Alepo dhe rrugën më të gjerë përpara për tranzicionin historik të Sirisë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “mirëpresin tranzicionin historik të Sirisë dhe i ofrojnë mbështetjen e tyre qeverisë siriane nën presidentin Ahmed al-Sharaa”.