SHBA ndan edhe 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën – çfarë armatimi pritet të marrin forcat ukrainase

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka falënderuar homologun amerikan, Joe Biden pasi SHBA premtoi 2.5 miliardë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Mbrëmë administrata amerikane njoftoi se do të ofronte ndihmë të mëtejshme për Ukrainën, raporton skynews.

Paketa përfshin 59 automjete luftarake Bradley, 90 transportues të blinduar të personelit Stryker dhe 53 automjete rezistente ndaj minave, njoftoi Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Ndihma e fundit përfshin gjithashtu municione shtesë për sistemet raketore të artilerisë së lartë (HIMARS), tetë sisteme të mbrojtjes ajrore Avenger, dhjetëra mijëra fishekë artilerie dhe rreth 2,000 raketa kundër-ajrore.

Në total, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 27.4 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt të vitit të kaluar.

Ndryshe, SHBA-ja së bashku me disa vende perëndimore janë ndër vendet kryesore që po e ndihmojnë shtetin ukrainas në luftën kundër trupave ruse që nga 24 shkurti i vitit të kaluar.