SHBA miraton financimin 302 milionë dollarësh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar ratifikimin dhe nënshkrimin e huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, në kuadër të programit të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF).

Sipas një njoftimi të publikuar nga Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake të Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo hua do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe për përmbushjen e angazhimeve të reja të mbrojtjes.

Në njoftim thuhet se financimi do të ndihmojë në blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane, duke forcuar aftësitë mbrojtëse të Shqipërisë dhe duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve të sigurisë në Evropë.

SHBA thekson se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka qenë një partner i afërt në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Njoftimi amerikan vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë si aleat i rëndësishëm në NATO dhe përmend bashkëpunimin e ngushtë mes Tiranës dhe Uashingtonit në çështjet e sigurisë ndërkombëtare.