SHBA, mbi 26 mijë të vdekur nga COVID-19

Sipas të dhënave të Universitetit amerikan “Johns Hopkins”, numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA ka tejkaluar shifrën 26 mijë.

Universiteti ka regjistruar gjithsej 26.033 vdekje dhe 609.240 raste të konfirmuara me COVID-19 në SHBA.

SHBA vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga virusi ndërsa Italia ka raportuar gjithsej 21.067 vdekje dhe Spanja 18.255.

Sipas të dhënave, rreth 49 mijë pacientë janë shëruar nga sëmundja në SHBA.

New York është shteti më i goditur amerikan, me gjithsej 10.842 vdekje dhe mbi 203 mijë raste të konfirmuara, ndërsa i dyti është New Jersey me 2.805 vdekje dhe 68.800 raste të konfirmuara.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.