Ky vendim nënkupton se shërbimet për viza në Ambasadën amerikane në Havana do të ofrohen sërish për t’iu mundësuar kubanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe të vizitojnë familjarët.
Pas këtij vendimi pritet të ketë rritje në udhëtime në mes të shteteve.
Edhe bllokada për transferim të parave nga SHBA-ja në Kubë do të hiqet.
Përveç kësaj, sektori privat i Kubës pritet të ketë qasje më të mirë në shërbimet amerikane të internetit dhe në platformat për tregti online.
Ministria e Jashtme e Kubës, në anën tjetër, e ka konsideruar vendimin “hap të kufizuar në drejtimin e duhur”.
Megjithatë, ministria në Havana ka thënë se kjo gjë nuk ka ndryshuar asgjë në embargon amerikane kundër Kubës apo në masat ekonomike të vëna nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
Në fund të muajit prill, Shtetet e Bashkuara dhe Kuba kanë mbajtur takime direkte për migrimin, për herë të parë në katër vjetët e fundit.
Në mesin e gjërave tjera është diskutuar edhe për zbatimin e marrëveshjeve për migrimin.
Ministria për Punë të Jashtme e Kubës ka kritikuar Shtetet e Bashkuara se nuk kanë respektuar marrëveshjen bilaterale që u ka garantuar 20,000 kubanëve viza brenda një viti.
Një zyrtar i lartë i Qeverisë amerikane ka thënë se ky numër mund të përmbushet shpejt.