SHBA, kërkohet vaksinimi i detyrueshëm për mësuesit

Kryekëshilltari për shëndetësinë i presidentit amerikan Joe Biden dhe drejtori i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, Dr. Anthony Fauci, tha se vaksinimi për mësuesit duhet të bëhet i detyrueshëm në mënyrë që të mund të mbrohen nga koronavirusi i ri (COVID-19) fëmijët që janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një vlerësim në televizionin MSNBC, Fauci, tha se “Kemi humbur më shumë se 615 mijë njerëz dhe ndodhemi në mesin e një vale të madhe teksa do të hymë në sezonin e shkollës në vjeshtë. Situata është shumë serioze”.

“Legjislacioni për vaksinimin e detyrueshëm nuk do të bëhet nga qeveritë federale, por nga ato të shteteve dhe ato lokale”, tha Fauci, i cili u shpreh se parashikon që administratat lokale do të përhapin vaksinimin e detyrueshëm pasi Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe Barnave “shumë shpejt” të japë miratimin e plotë për vaksinat e COVID-19.

Rriten rastet me COVID-19 tek fëmijët

Në javën e fundit në SHBA me COVID-19 janë prekur 94 mijë fëmijë. Kjo shifër reflekton rritje me 34 për qind në krahasim me një javë më parë.

Ndërsa Akademia Amerikane e Pediatrisë njoftoi se 15 për qind të rasteve të reja javën e kaluar në SHBA e përbëjnë fëmijët.

Ekspertët theksojnë se fëmijët janë grupmosha që e kalojnë më lehtë COVID-19. Norma e fëmijëve që kanë humbur jetën për shkak të pandemisë së 43 shtete të SHBA-së është 0 deri 0,26 për qind.