SHBA-ja u bën thirrje qytetarëve të vet që të largohen menjëherë nga Libani

Ambasada amerikane në Bejrut u ka kërkuar qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Libani, mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, shkruan BBC të shtunën.

Këshillimi pason paralajmërim të ngjashëm nga sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, i cili ka thënë se situata “mund të përkeqësohet me shpejtësi”.

Irani është zotuar për hakmarrje “të ashpër” kundër Izraelit, të cilin e fajëson për vdekjen e shefit të Hamasit, Ismael Haniyeh, në Teheran të mërkurën. Vrasja e tij erdhi disa orë pasi Izraeli vrau komandantin e Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut.

Dyshohet se Hezbollahu me bazë në Liban, grup i mbështetur nga Irani, mund të luajë rol të madh në çdo hakmarrje të tillë – e cila nga ana tjetër mund të shkaktojë përgjigje edhe më serioze nga Izraeli.

Ambasada amerikane deklaroi të shtunën se ata që zgjedhin të qëndrojnë në Liban duhet të “përgatitin plane emergjence” dhe të jenë të përgatitur të “strehohen në vend për një periudhë të gjatë kohore”.

Ambasada amerikane ka thënë më tej se disa linja ajrore kanë pezulluar dhe anuluar fluturimet, por “opsionet e transportit komercial për t’u larguar nga Libani mbeten të disponueshme”.

Pentagoni më herët ka bërë të ditur se po dërgonte anije dhe aeroplanë luftarakë shtesë në rajon për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e mundshme nga Irani dhe aleatët e tij.

Britania e Madhe ka dërguar personel shtesë ushtarakë, personel konsullorë dhe zyrtarë të forcave kufitare për të ndihmuar me çdo evakuim – por u kërkoi qytetarëve të largoheshin nga Libani “ndërsa fluturimet komerciale janë ende duke punuar”.

Dy anije ushtarake britanike janë tashmë në rajon dhe Forcat Ajrore Mbretërore kanë vënë në gatishmëri helikopterët e transportit.

Sekretari i mbrojtjes në Britani, Lammy, ka thënë se “nuk ishte në interesin e askujt që ky konflikt të përhapet në të gjithë rajonin”.

Në prill, Irani nisi sulm ajror ndaj Izraelit duke përdorur 170 dronë, 30 raketa dhe të paktën 110 raketa balistike.

Kjo ishte si hakmarrje pasi Izraeli bombardoi konsullatën iraniane në Damask, Siri.

Shumë kanë frikë se hakmarrja e Iranit me këtë rast mund të marrë formë të ngjashme.