SHBA-ja thotë se Trumpi preferon diplomacinë me Iranin, por rikujton edhe opsionet ushtarake

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar të enjten se diplomacia është zgjedhja e parë e presidentit amerikan Donald Trump për përballjen me Iranin. Megjithatë, Trumpi paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë edhe opsionin ushtarak, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Bisedimet pritet të zhvillohen pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy palëve lidhur me agjendën, gjë që ka rritur dyshimet për arritjen e një marrëveshjeje. Trump ka kërcënuar më herët se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se duan që bisedimet të përfshijnë edhe programin raketor të Iranit dhe çështje të tjera, ndërsa Teherani këmbëngul që fokusi të jetë vetëm te programi bërthamor. Ende nuk është e qartë nëse kjo mosmarrëveshje është zgjidhur.

“Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë i presidentit, qoftë ndaj aleatëve apo kundërshtarëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke folur për negociatat e ardhshme.

Ajo përsëriti qëndrimin e Trumpit se “zero kapacitete bërthamore” për Iranin është një kërkesë e panegociueshme.

“Presidenti dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje”, tha Leavitt. “Por ndërkohë, i kujtojmë regjimit iranian se presidenti ka edhe shumë opsione të tjera, përveç diplomacisë, si komandant i forcës ushtarake më të fuqishme në historinë e botës”.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, u nis të enjten drejt Omanit. Zëdhënësi i tij, Esmail Baghaei, deklaroi se Irani do të angazhohet “me synimin për të arritur një marrëveshje të drejtë, të pranueshme nga të dyja palët dhe dinjitoze për çështjen bërthamore”.

“Shpresojmë që pala amerikane të marrë pjesë në këtë proces me përgjegjësi dhe seriozitet”, shtoi Baghaei.

Araqchi pritet të takohet në Muskat me Steve Witkoff, të dërguarin special të Trumpit, si dhe me Jared Kushner, dhëndrin dhe këshilltarin e presidentit amerikan.