ShBA-ja thotë se ka sekuestruar një anije tjetër të naftës që lidhet me Venezuelën

Forcat amerikane kanë sekuestruar një anije tjetër transportuese të naftës në Detin e Karaibeve, thanë zyrtarët, përderisa Uashingtoi po i vazhdon përpjekjet për t’i kontrolluar eksportet e naftës venezuelase.

“Edhe një herë, forcat tona të përbashkëta nga agjenci të ndryshme dërguan një porosi të qartë këtë mëngjes: nuk ka strehë të sigurt për kriminelët” – shkroi në rrjetin X Komanda Jugore e ShBA-së, raporton televizioni BBC.

Sekretarja e Sigurisë së Atdheut, Kristi Noem, tha se anija “Olina” ishte një anije tjetër transportuese e “flotës fantazmë” që dyshohej për bartjen e naftës ndaj të cilës ka embargo” dhe u sekuestrua pasi “u nis nga Venezuela në përpjekje për t’i shmangur forcat amerikane”.

Zonja Noem publikoi një video në internet ku shiheshin trupa duke u lëshuar në një anije nga helikopteri. Anija “Olina” është në listën e sanksioneve të disa shteteve. Ajo është anija e pestë që sekuestrohet nga forcat amerikane në javët e fundit.

Kompania për analizimin e rreziqeve detare, “Vanguard Tech”, tha se anija po përpiqej ta thyente bllokadën detare amerikane në Karaibe.

Sipas kësaj kompanie, sekuestrimi i anijes “Olina” erdhi pas ndjekjes së gjatë të anijeve transportuese të lidhura me dërgesat e naftës së sanksionuar venezuelase në rajon.