SHBA-ja regjistron mbi 1,400 vdekje nga koronavirusi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 31 korrik regjistruan mbi 1,400 të vdekur nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.

Kjo është dita e katërt me radhë që SHBA-ja regjistron mbi 1,200 viktima nga koronavirusi.

Kalifornia dhe Florida janë dy shtetet amerikane më të goditura. Këto dy shtete kanë regjistruar rritje të numrit të viktimave nga COVID-19, teksa numri i përgjithshëm i vdekjeve në SHBA ka arritur në 153,415, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.

Ndërkaq, gjatë 24 orëve, janë regjistruar edhe 69,000 raste të reja, duke bërë që numri i përgjithshëm i rasteve të arrijë në mbi 4,5 milionë.

Shteti i Floridës ka raportuar 257 viktima, ndërkaq në Kaliforni janë raportuar 208 raste që kanë përfunduar me fatalitet.

Në nivel global, pandemia e koronavirusit ka marrë jetën e më shumë se 678,000 personave dhe me këtë virus janë infektuar mbi 17,5 milionë njerëz, thuhet në të dhënat e publikuara nga Universiteti Johns Hopkins.