SHBA-ja ndërpret operacionin e nxjerrjes së anijeve të bllokuara në Hormuz

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja po e ndërpret operacionin e saj për të nxjerrë anijet e bllokuara në Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi ka thënë se ndërprerja e “Projektit Liri”, i cili filloi të hënën, vjen për shkak të siç ka thënë, “progresit të madh” drejt një marrëveshjeje me Iranin.

“Bazuar në kërkesën e Pakistanit dhe vendeve të tjera, suksesin e jashtëzakonshëm ushtarak që kemi pasur gjatë fushatës kundër Iranit dhe, përveç kësaj, faktin se është bërë një përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit, ne kemi rënë dakord reciprokisht që, ndërsa bllokada do të mbetet në fuqi dhe efekt të plotë, “Projekti Liri” (Lëvizja e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit) do të ndalet për një periudhë të shkurtër kohore për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet apo jo”, ka shkruar Trumpi në Truth Social.

Sipas “Projektit Liri”, SHBA-ja do të udhëzonte anijet përmes Ngushticës së Hormuzit dhe do të ndihmonte në rikthimin e rrjedhës së naftës nga rajoni.

Media shtetërore iraniane thotë se Trumpi është “tërhequr” pas “dështimeve të vazhdueshme” për të rihapur rrugën ujore jetësore për transportin global.

Irani ka shumë të ngjarë ta karakterizojë ndërprerjen e “Projektit Liri” si një fitore, shkruan BBC.

Më parë, sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se faza ofensive e luftës me Iranin ka “mbaruar” pasi objektivat e operacionit fillestar janë arritur.