SHBA-ja, Kurtit: Partitë serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit

E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për, siç tha ajo, tendencat që disa parti serbe të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Prattipati theksoi se është me rëndësi jetike që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

“Me kryeministrin në detyrë kemi diskutuar për veprimet që kuptojmë se ai dhe Lëvizja Vetëvendosje po shqyrtojnë lidhur me përjashtimin e disa partive politike nga zgjedhjet e ardhshme. Të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre…”.

“Është thelbësore që serbët e Kosovës të jenë pjesë e këtij procesi dhe jemi të shqetësuar për çdo tentim që kufizon zgjedhjen e tyre”, u shpreh diplomatja amerikane, duke shtuar se këto mesazhe ia ka përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit në detyrë.