Shtetet e Bashkuara të premten goditën disa caqe në Siri që ushtria amerikane i lidhi me ISIS-in si hakmarrje për sulmin që ndodhi rishtazi kundër trupave amerikane atje, me ç’rast u vranë dy ushtarë, thanë dy zyrtarë amerikanë.
Me këto sulme u vunë në shënjestër dhjetëra caqe që ushtria amerikane i lidhi me ISIS-in, përfshirë infrastrukturën dhe vendet për ruajtjen e armëve në mbarë Sirinë, tha njëri nga zyrtarët, raporton televizioni CNN.
Pas sulmit të 13 dhjetorit që la të vrarë dy ushtarë dhe një përkthyes civil, Shtetet e Bashkuara dhe forcat partnere kryen dhjetë operacione që rezultuan në vdekjen ose arrestimin e rreth 23 personave, shtoi ky zyrtar.
Nga këto operacione gjithashtu u siguruan të dhëna të inteligjencës që u grumbulluan nga pajisjet elektronike të kapura gjatë bastisjeve dhe të cilat ofruan informata që kontribuuan në caktimin e shënjestrave, sipas të njëjtit zyrtar.
Qindra trupa amerikane vazhdojnë të jenë të dislokuara në Siri si pjesë e misionit të ShBA-së për ta luftuar ISIS-in. Misioni kishte nisur kur grupi famëkeq kishte filluar që të merrte shpejt nën kontroll një pjesë të madhe të territoreve të Sirisë dhe Irakut dekadën e kaluar.
I njëjti zyrtar i tha televizionit CNN se qëllimi i operacionit të së premtes është dhënia e një goditjeje të fortë mbetjeve të ISIS-it në Siri dhe aftësisë së tyre për të paraqitur rrezik ndaj forcave amerikane në rajon.
Ai shtoi se vendet partnere, përfshirë Jordaninë, iu bashkuan forcave amerikane në këto sulme, transmeton gazeta “Nacionale”.
Dy ushtarët amerikanë të vrarë në Siri u identifikuan këtë javë si Rreshter Edgar Brian Torres Tovar, 25 vjeç, dhe Rreshter William Nathaniel Howard, 29 vjeç. Ata u vranë na Palmyra.




