SHBA-ja kap pranë Islandës cisternën e naftës me flamur rus

Dy imazhe të publikuara nga transmetuesi shtetëror rus RT tregojnë një helikopter afër një anijeje që duket të jetë Marinera.

Karakteristikat e dukshme në anije në imazhe, duke përfshirë pozicionin e dritares dhe ngjyrën e bardhë dhe të gjelbër të punimeve metalike, janë në përputhje me imazhet e Marineras që janë në dispozicion publikisht.

Mediat amerikane kanë raportuar se SHBA-ja ka kapur të mërkurën cisternën e naftës me flamur rus, e lidhur me Venezuelën.

E përditësuar (14:42) – SHBA-ja kap cisternën e naftës pranë Islandës, raportojnë mediat amerikane

Një cisternë nafte me flamur rus, e lidhur me Venezuelën, është kapur pranë Islandës të mërkurën.

Komanda Evropiane e SHBA-së, thotë se Departamenti i Drejtësisë dhe Sigurisë Kombëtare i SHBA-së ka “njoftuar sot sekuestrimin e M/V Bella 1 për shkelje të sanksioneve të SHBA-së”.

“Anija u sekuestrua në Atlantikun e Veriut në përputhje me një urdhër kapjeje të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane, pasi u gjurmua nga USCGC Munro”, thuhet në një postim në X.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bëjnë sekuestro të një cisterne të naftës të lidhur me Venezuelën, e cila është ndjekur për më shumë se dy javë nëpër Oqeanin Atlantik nga forcat amerikane, ka raportuar Reuters me burime të mërkurën.

Cisterna, e njohur më parë si Bella 1 dhe tani e regjistruar si Marinera nën flamurin rus, ka shpëtuar nga një bllokadë detare dhe përpjekje nga Garda Bregdetare e SHBA-së për t’u ndaluar pranë Venezuelës në dhjetor.

Operacioni i SHBA-së, i kryer nga Roja Bregdetare së bashku me elemente të ushtrisë, synon të sekuestrojë cisternën bazuar në urdhra të gjykatave dhe sanksione ndaj anijeve që transportojnë naftë të lidhur me vendet e përfshirë në shkelje të sanksioneve.

Më herët u raportua se Moska ka dërguar në det një nënmarins dhe mjete tjera luftarake për të shoqëruar cisternën dhe për të parandaluar kapjen e saj nga forcat amerikane.

Tankeri ka kaluar nën flamurin rus pas ndryshimit të emrit, duke pretenduar kështu mbrojtjen e juridiksionit rus sipas së drejtës detare ndërkombëtare, që mund ta vështirësojë ndalimin e drejtpërdrejtë nga SHBA-ja.

Incidenti mund të rrisë tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Bella 1 u ndalua nga Garda Bregdetare e SHBA-së në Detin Karaibe në dhjetor kur tentoi të hynte në Venezuelë, por ekuipazhi refuzoi të lejonte anëtarët e Gardës të ngjiteshin në anije dhe u largua në Oqean.

Anija atë kohë ndryshoi emrin në Marinera, vendosi flamurin rus dhe u regjistrua nën juridiksionin rus, një lëvizje që mund të ofrojë mbrojtje sipas ligjeve ndërkombëtare për anijet nën flamur shtetëror.

Udhëtimi i anijes nëpër Atlantik ka çuar në një ndjekje të gjatë nga forcat amerikane, me vëzhgim ajror dhe detar, ndërkohë që Rusia ka rritur praninë ushtarake rreth tij.

Ushtria amerikane thotë se ka sekuestruar në Karaibe një cisternë të dytë nafte të lidhur me Venezuelën.

“SHBA-ja ka sekuestruar një cisternë të dytë nafte, këtë herë në detin e Karaibeve”, thuhet në një njoftim të Komandës Jugore të SHBA-së.

Anija, një “cisternë motorike pa shtetësi dhe e sanksionuar e flotës së errët”, u kap në një operacion para agimit, ka bërë të ditur ushtria.

“Anija e ndaluar, M/T Sophia, po operonte në ujëra ndërkombëtare dhe po kryente aktivitete të paligjshme në Detin e Karaibeve”, ka thënë ushtria amerikane.

“Roja Bregdetare e SHBA-së po shoqëron M/T Sophia në SHBA për asgjësimin përfundimtar”, thuhet më tej në deklaratë.