Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vendosin prani të përhershme të dronëve në Gadishullin Korean, duke ringjallur një ekip të epokës së Luftës së Dytë Botërore.
Skuadroni i 431-të i Zbulimit u aktivizua të hënën në bazën ajrore të Kunsanit në bregun perëndimor të Koresë së Jugut, afër kryeqytetit Seul. Ai do të operojë me dronët MQ-9 Reaper.
Hapja e këtyre kapaciteteve në gadishull, është edhe një lëvizje drejt forcimit të kapaciteteve ajrore, pak pasi ajo ripozicionoi avionët luftarakë F-16 afër Koresë së Veriut në muajt e fundit. Veprimi vjen po ashtu disa javë pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, qëndroi krah për krah me liderin kinez, Xi Jinping, në një paradë masive ushtarake në Pekin.
Sipas një dokumenti të Forcave Ajrore, “Reaper” janë avionë pa pilotë me motor turbohelikë që mund të kryejnë një sërë misionesh luftarake dhe të tjera.
Ato kanë rreze veprimi prej mbi 2700 kilometrash dhe aftësi për të qëndruar në ajër për një kohë edhe pa furnizim me karburant. Konsiderohen dronë që do t’u ndihmojnë shumë forcave ajrore amerikane për sigurinë në rajon.
Rrezja e veprimit e këtyre dronëve e mbulon jo vetëm territorin e Koresë së Veriut – zonën zona e demilitarizuar midis Koreve është rreth 150 milje në veri të Kunsanit – por edhe Detin e Kinës Lindore dhe Tajvanin, rreth 800 milje larg.
Territori i Kinës është vetëm 250 milje larg Kunsanit dhe deti Bohai, ku Kina kryen shpesh stërvitjet detare, është rreth 600 milje larg nga baza ajrore e SHBA-së.
“Operimet e MQ-9 do të përkrahin prioritetet amerikane me Korenë në inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim përreth zonës Indo-Paqësore”, thuhet në deklaratën e Forcës Ajrore Amerikane. “Vendosja e MQ-9 sjell kapacitete të fuqishme në rajon”, ka thënë lejtënant koloneli Douglas Slater, që do ta udhëheqë skuadronin, sipas komunikatës.
Për misione luftarake, këta dronë mund të bartin një sërë armësh, nga raketat Hellfire te bombat e drejtuara me laser.
Caktimi i emrit të skuadronit 431 është rikthim në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Më 1943 ishte aktivizuar Skuadroni 431 luftarak nga Australia. Për herë të fundit ishte aktiv më 1992 si test në Kaliforni.