SHBA-ja i hoqi vizën presidentit kolumbian – foli kundër Trumpit midis New Yorkut

Departamenti amerikan i Shtetit i hoqi vizën presidentit të Kolumbisë për shkak të deklaratave “nxitëse” në New York.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi dje se ka anuluar vizën e presidentit kolumbian, Gustavo Petro, duke përmendur si arsye “veprimet e tij nxitëse” gjatë qëndrimit në New York me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky vendim erdhi pasi udhëheqësi i majtë iu drejtua protestuesve pro-palestinezë në rrugët e New Yorkut. Sipas mediave kolumbiane, të cituara nga Agence France-Presse, Petro ishte nisur për në Bogota që të premten në mbrëmje.

Petro ndau të premten në rrjetet sociale një video ku shihet duke iu drejtuar turmës përmes një megafoni, në gjuhën spanjolle. Përkthyesi i tij përcolli një thirrje drejtuar “kombeve të botës” për të ndihmuar në krijimin e një ushtrie “më të madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”.

“Prandaj, këtu nga New York-u, i bëj thirrje të gjithë ushtarëve të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të mos drejtojnë armët ndaj njerëzimit. Mos e dëgjoni urdhrin e Trumpit! Dëgjoni urdhrin e njerëzimit!”, tha ai.

Administrata amerikane reagoi ashpër ndaj deklaratave të Petros.

“Më herët sot, presidenti kolumbian Petro Gustavo ishte në rrugët e New Yorkut duke u bërë thirrje ushtarëve amerikanë të mos i zbatojnë urdhrat dhe të nxisin dhunë. Do të anulojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pamatura dhe nxitëse”, thuhej në njoftim.