ShBA-ja e paralajmëron prerazi Izraelin: Në asnjë rrethanë s’i lejojmë rrethimin e Gazës ose zhvendosjen me forcë

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tha se “ShBA-ja në asnjë rrethanë nuk do ta lejojë zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza ose Bregu Perëndimor, rrethimin e Gazës ose rivizatimin e kufijve të Gazës”.

Komentet e saj erdhën gjatë një takimi me presidentin e Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, ku ajo e falënderoi këtë udhëheqës për përpjekjet e tij për evakuimin e shtetasve amerikanë nga Gaza, raporton televizioni BBC.

Gjatë takimit të tyre në Dubai, në margjinat e samitit global për klimën, COP28, zonja Harris tha se përpjekjet “mund të kenë sukses vetëm në rast se ndiqen në kontekstin e një horizonti të qartë politik për popullin palestinez drejt një shteti të tyre, të udhëhequr nga një Autoritet Palestinez i rivitalizuar”.

Harrisi bëri të qartë se Hamasi nuk mund ta kontrollojë Gazën dhe se Shtetet e Bashkaura do të mbeten të përkushtuara që “pa pushim” ta ndjekin synimin për lirimin e të gjitha pengjeve në Gaza.

Ditëve të fundit, ShBA-ja, përmes kryediplomatit të saj, Antony Blinken, i ka bërë thirrje Izraelit që të ketë kujdes për t’i mbrojtur më shumë civilët në Gaza gjatë operacioneve ushtarake atje.