SHBA-ja e Irani “shumë afër” marrëveshjes, sipas Vancet

SHBA-ja dhe Irani ende duhet të zgjidhin disa pika ngërçi përpara se të arrihet një marrëveshje mbi luftën, ka thënë zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.

I pyetur nga BBC nëse presidenti Donald Trump ishte afër nënshkrimit të një marrëveshjeje, Vance theksoi se ishte shumë herët për të thënë “kur ose nëse” të dy palët do të finalizonin një marrëveshje.

Marrëveshja raportohet se do të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe do të nisë bisedimet mbi të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.

Më herët të enjten, zyrtarët amerikanë thanë se të dy vendet kishin rënë dakord për një kornizë të një marrëveshjeje, në pritje të miratimit të Trumpit dhe udhëheqjes së Iranit. Por agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit raportoi se marrëveshja nuk ishte finalizuar ose konfirmuar.

Duke folur të enjten në mbrëmje, Vance tha se negociatorët po “debatonin për disa pika”, të cilat përfshijnë “çështjen e pasurimit”.

“Nuk jemi ende atje, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, u tha ai gazetarëve.

SHBA-ja ka kërkuar prej kohësh që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar dhe të asgjësojë rezervat e tij ekzistuese, të cilat në teori mund të përdoren për të krijuar armë bërthamore.

Që kur armëpushimi fillestar midis SHBA-së dhe Iranit hyri në fuqi më 8 prill, Trumpi ka sugjeruar – vazhdimisht – se të dy palët janë afër një marrëveshjeje dhe se negociatat po përparojnë, por deri më tani nuk ka pasur rezultate thelbësore.

Trump dhe zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar se “opsioni B” – një kthim në operacionet luftarake – është ende në tryezë.