SHBA-ja dhe Rusia po hartojnë planin për fundin e luftës bazuar në kapitullimin e Ukrainës

Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë hartuar në heshtje një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili do t’i kërkonte Kievit zyrtar të dorëzonte territor dhe të kufizonte ndjeshëm madhësinë e ushtrisë së saj, u raportua të mërkurën, ndërsa sulmet ruse me dronë dhe raketa vranë të paktën 25 persona në qytetin perëndimor të Ternopilit.

Drafti i planit, i cili thuhet se u zhvillua nga i dërguari i Donald Trumpit, Steve Witkoff, dhe këshilltari i Kremlinit Kirill Dmitriev, do të detyronte masa “drakoniane” mbi Ukrainën që do t’i jepnin Rusisë kontroll të paparë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Plani ka të ngjarë të shihet si dorëzim nga Kievi zyrtar, raporton The Guardian.

Të dy burrat kanë formuar një kanal të rëndësishëm, por jozyrtar, midis Moskës dhe Uashingtonit, dhe nuk është e qartë nëse administrata Trump e ka mbështetur zyrtarisht planin.

Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do t’i kërkonte Ukrainës të dorëzonte territorin që kontrollon në lindje të vendit dhe të përgjysmonte madhësinë e ushtrisë së saj, kushte që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të kaluarën i ka quajtur të papranueshme. Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategoritë e armatimeve të përdorura nga ushtria ukrainase.

Ekzistenca e planit 28-pikësh, i cili duket se është frymëzuar nga një propozim i ngjashëm që administrata Trump e ka zhvilluar për t’i dhënë fund luftës në Gazë, u raportua për herë të parë nga Axios. Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende një kërkese të Guardian për më shumë detaje mbi propozimin.

Washingtoni ka sugjeruar vazhdimisht se është afër një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, por propozimet kanë dështuar sepse ato do parashihin t’i plotësonin Rusisë shumicën e kërkesave të saj, nërsa do të kërkonin që Kievi zyrtar të bënte lëshime të dhimbshme.

Të mërkurën në mbrëmje, sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, dukej sikur iu përgjigj raporteve të planit duke thënë se një paqe e qëndrueshme do të kërkonte që “të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të nevojshme”.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë një listë idesh të mundshme për t’i dhënë fund kësaj lufte bazuar në kontributin nga të dyja palët e këtij konflikti”, ka shkruar Rubio në X.

Raportet për planin erdhën ndërsa Rusia nisi një sulm masiv në Ukrainën perëndimore duke synuar disa ndërtesa shumëkatëshe në qytetin e Ternopil, si dhe objektet e energjisë në Ivano-Frankivsk dhe Lviv.

Rusia po kryen sulme sistematike për të shkatërruar infrastrukturën civile të energjisë së Ukrainës përpara dimrit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, të mërkurën në përpjekje për të “ringjallur negociatat” dhe për të siguruar një “paqe të drejtë” për Ukrainën, i ka kërkuar aleatëve të Kievit të intensifikojnë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund pushtimit të saj gati katërvjeçar, duke përfshirë edhe ofrimin e më shumë raketave të mbrojtjes ajrore.