SHBA-ja dhe Pakistani diskutojnë për luftën kundër terrorizmit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, për procesin e paqes në Afganistan dhe luftën kundër terrorizmit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, muajin e kaluar, shpalli planin për tërheqjen e 2.500 trupave të mbetura amerikane nga Afganistani deri më 11 shtator.

Tërheqja do të bëhet katër muaj më vonë se afati i 1 majit, për të cilin ishin dakorduar talibanët dhe administrata e mëparshme amerikane e ish-presidentit, Donald Trump.

NATO-ja ka thënë se do bashkërendojë me SHBA-në tërheqjen e më shumë se 7.000 forcave aleate.

Përveç procesit të paqes në Afganistan, në bisedën e tyre telefonike, Blinken dhe Qureshi kanë biseduar edhe për progresin e Pakistanit në luftën kundër terrorizmit dhe mundësinë e zhvillimit të lidhjeve tregtare”, njoftoi Departamenti i Shtetit në SHBA.

Tërheqja e forcave të huaja nga Afganistani ka nxitur shqetësimin rajonal në lidhje me aftësinë e forcave të sigurisë afgane për të kontrolluar situatën kundër talibanëve në mungesë të një marrëveshjeje paqeje.

Muajin e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin diskutoi me shefin e ushtrisë së Pakistanit, gjeneralin, Qamar Javed Bajwa për situatën rajonale të sigurisë.