SHBA-ja bën thirrje për fuqizimin e lidhjeve me Japoninë

Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për fuqizimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Japoninë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i mbrojtjes, Lloyd Austin, kanë nisur një turne në Japoni dhe Korenë Jugore. Vizita pason një samit online të mbajtur javën e kaluar mes liderëve të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Australisë dhe Indisë.

Temat e diskutimeve të zyrtarëve të lartë amerikan do të përshijnë lirinë e lundrimit në detet e Kinës Jugore dhe Lindore, çështjen bërthamore të Koresë së Veriut dhe situatën në Mianmar, pas grusht shtetit ushtarak.

“Marrëdhëniet ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë janë, siç e dini, një nga më të fuqishmet në botë”, i tha Blinken një grupi udhëheqësish të biznesit japonez.

Sekretari Blinken vuri në pah dobësitë në zingjirët e furnizimit global që janë shpërfaqur gjatë pandemisë së COVID-19. Ai bëri thirrje që vendet të punojnë për të krijuar zingjirë më të mirë të furnizimit në të ardhmen.

Koreja e Veriut ka të ngjarë të jetë në krye të rendit të ditës pasi Shtëpia e Bardhë tha se ky vend, deri më tani, kishte kundërshtuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’u përfshirë në dialog.

Në hapjen e takimit dypalësh me ministrin e Jashtëm të Japonisë, Toshimitsu Motegi, Blinken tha se ai dëshironte të punonte me Japoninë dhe aleatët për denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Blinken dhe Austin do të udhëtojnë nga Tokio në Seul më 17 Mars dhe do të zhvillojnë bisedime me homologët e tyre në kryeqytetin e Koresë së Jugut.