SHBA braktis 4iG, anulon marrëveshjen me pronarin hungarez që zotëron One Albania

Zhvillimi është me interes edhe për tregun shqiptar të telekomunikacionit pasi 4iG është pronari i “One Albania”, ndërsa sipas të dhënave financiare të vitit 2024, operatori shqiptar rezulton të ketë mbi 96 milionë euro hua nga kompania mëmë hungareze.Kjo do të thotë se çdo tronditje financiare, politike apo hetimore ndaj 4iG në Budapest mund të krijojë efekte zinxhir edhe në Shqipëri.

Qeveria amerikane ka shtyrë nënshkrimin e një marrëveshjeje financimi me grupin hungarez 4iG. Ceremonia ishte planifikuar për të martën në mëngjes në Budapest, por palët e anuluan në momentet e fundit.

Të ftuarit do të merrnin pjesë në ceremoninë në selinë e kompanisë, por drejtori ekzekutiv i 4iG, Gellért Jászai, i njoftoi pak para nisjes së aktivitetit për anulimin. Në mesazhin e tij, Jászai bëri të ditur se palët parashikojnë ta nënshkruajnë marrëveshjen në fund të shtatorit.

Delegacioni amerikan është larguar ndërkohë nga Hungaria.

Shtyrja vjen pas kontakteve që Jászai zhvilloi në fillim të gushtit në Uashington me zyrtarë amerikanë dhe partnerë strategjikë të 4iG. Bisedimet përfshinë mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët e hapësirës, mbrojtjes, energjisë dhe infrastrukturës dixhitale, si dhe investimet e kompanisë në rajon.

Gjatë vizitës në SHBA, drejtuesi i 4iG zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësues të Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit të SHBA-së, DFC. Ai u takua me drejtorin kryesor të investimeve, Conor Coleman, dhe anëtarin e bordit të drejtorëve, Christopher P. Vincze.

Vendimi për shtyrjen e marrëveshjes vjen në një kohë kur qeveria hungareze ka njoftuar një shqyrtim të plotë të marrëdhënieve mes 4iG dhe shtetit. Autoritetet hungareze pritet të kontrollojnë të gjitha kontratat që kompania ka lidhur me institucionet shtetërore.

Njoftimi e çon në një fazë zyrtare debatin që prej kohësh zhvillohet në Hungari mbi kontratat publike dhe raportet e 4iG me shtetin. Sipas njoftimit të ministrit hungarez të Shkencës dhe Teknologjisë, Zoltán Tanács, kontrolli do të përfshijë marrëdhëniet pronësore, financiare, ekonomike dhe kontraktuale mes shtetit hungarez, 4iG Nyrt. dhe kompanive që kontrollohen drejtpërdrejt apo tërthorazi nga grupi.

Zhvillimi është me interes edhe për tregun shqiptar të telekomunikacionit pasi 4iG është pronari i “One Albania”, ndërsa sipas të dhënave financiare të vitit 2024, operatori shqiptar rezulton të ketë mbi 96 milionë euro hua nga kompania mëmë hungareze.

Kjo do të thotë se çdo tronditje financiare, politike apo hetimore ndaj 4iG në Budapest mund të krijojë efekte zinxhir edhe në Shqipëri, duke prekur jo vetëm “One Albania”, por potencialisht të gjithë tregun strategjik të telekomunikacionit.

Sipas mediave vendase, ngrihen pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si 4iG ndërtoi perandorinë e saj gjatë viteve të Orbanit, përmes blerjeve agresive të Vodafone Hungary, Digi, Antenna Hungaria dhe kompanive të tjera strategjike.

Sipas tyre, grupi është sot një “rrjet kompleks kompanish” me lidhje të forta politike, ku përfshihen figura pranë kabinetit të Orbanit dhe institucione shtetërore hungareze.