SHBA akordon 108 milionë dollarë në ndihmë të popullit sirian

Shtetet e Bashkuara akorduan 108 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare për sirianët në nevojë, deklaroi ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Kelly Craft.

Gjatë një udhëtimi në Turqi, Craft theksoi se fondet kishin për qëllim sigurimin e ushqimit, strehimit, veshjeve të dimrit, batanijeve, ilaçeve dhe ujit të pijshëm për sirianët brenda vendit dhe rajonit, duke përfshirë edhe ata që largohen nga vendi si pasojë e dhunës në veriperëndim të Sirisë.

“Ndihma totale humanitare e SHBA-së arrin në më shumë se 10,6 miliardë dollarë që nga fillimi i krizës në Siri”, shtoi Craft.

Ajo u shpreh në Twitter se më parë vizitoi kufirin turko-sirian për të treguar solidaritetin amerikan për popullin e Sirisë.