Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, është zotuar për ta mbajtur përgjegjës secilin që është përfshirë në lëndimin e civilëve pas disa ditëve me përleshje, kur forcat siriane të sigurisë thuhet se gjoja kanë vrarë qindra civilë të pakicës fetare Alawite.
Një organizatë me seli në Britaninë e Madhe ka thënë se 830 civilë u vranë në “masakrat” në shënjestër të të cilave ishin pjesëtarët e pakicës Alawite në bregdetin perëndimor të premten dhe të shtunën, raporton televizioni BBC.
BBC-ja nuk ka qenë në gjendje që në mënyrë të pavarur ta vërtetojë numrin e të vdekurve nga dhuna, e cila besohet se është më e rënda që nga rënia e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.
Në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar e të publikuar edhe në rrjete socialie, Sharaa premtoi, gjithashtu, se do të ndiqen e do të kapen besnikët e Assadit.
Nga luftimet janë vrarë edhe 231 pjesëtarë të forcave të sigurisë e 250 luftëtarë pro Assadit, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, duke e çuar në 1.311 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.
“Ne pohojmë se do të mbajmë përgjegjës, në mënyrë të vendosur e pa butësi, këdo që është i përfshirë në gjakderdhjen e civilëve ose në lëndimin e njerëzve tanë, të cilët i tejkaluan autoritetet e shtetit ose e shfrytëzuan autoritetin për t’i arritur qëllimet e veta” –tha presidenti sirian.
“Askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe kushdo që ka duar të njollosura me gjakun e sirianëve do të ballafaqohet me drejtësinë herët a vonë”- shtoi ai.
Më herët të dielën, ai njoftoi në rrjete sociale se një “komision i pavarur” është themeluar për t’i “hetuar shkeljet kundër civilëve dhe për t’i identifikuar ata që janë përgjegjës për to”.
Presidenti gjithashtu bëri thirrje për unitet kombëtar, por nuk i komentoi drejtpërdrejt akuzat se në provincat bregdetare, Latakia e Tartous, po kryheshin mizori nga përkrahësit e tij./Nacionale