Shaqiri thotë se po përfundon ndërtimi i shkollës në Bllacë: Nga shtatori fëmijët nuk do të mësojnë në Kosovë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës sot ka vizituar fshatin Bllacë të Shkupit, ku po vijon ndërtimi i shkollës fillore, përcjell TV21. Shaqiri thotë se nga shtatori i këtij viti, fëmijët e Lagjes Bardhi nuk do ta ndjekin më mësimin në Kosovë, por do të mësojnë në një objekt në vendlindjen e tyre që është në ndërtim e sipër dhe aktivitetet ndërtimore janë kah fundi.

“Aktivitetet janë drejt përfundimit. Kemi një marrëveshje me kontraktorin e ndërtimit sipas së cilës deri në fund të këtij muaji objekti do të ndërtohet plotësisht dhe më pas do të fillojmë me pajisjen e brendshme. Nga shtatori, fëmijët e lagjes Bardhi do t’i gëzohen ambienteve të reja dhe faktit që nuk do të udhëtojnë më përtej kufirit, dhe prindërit do të jenë shumë më të qetë”, deklaroi ministri Shaqiri.

Ndërtimi i objektit filloi në fund të vitit 2021. Ky objekt, gjegjësisht objekti i shkollës “Mihal Grameno” sipas MASh do të kushtojë 4.7 milionë denarë.