Shansi historik që nuk duhet humbur

Shkruan: Florian NESIMI

Më 16 dhjetor, Këshilli Evropian pritet t’ia përcjellë Maqedonisë së Veriut të njëjtin mesazh tashmë prej dy vitesh: ndryshimet kushtetuese dhe përfshirja e bullgarëve në preambulë janë një obligim i qartë dhe i pashmangshëm, nga i cili varet çdo hap i ardhshëm i procesit të integrimit evropian. Draft-konkluzionet që pritet të miratohen në mbledhjen e dhjetorit thonë se pa përmbushjen e këtij obligimi nuk mund të ketë hapje kapitujsh me BE-në.

Në vitin 2022, Maqedonia e Veriut e pranoi të ashtuquajturin propozim francez, me të cilin parashihet dispozita për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, por po ashtu preambula do të zgjerohet edhe me komunitete tjera – kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët. Mirëpo, për dallim nga këto komunitete tjera, pranimi i bullgarëve në Preambulë mbetet problem politik dhe historik sepse Bullgaria vazhdon të kontestojë gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase. Për këtë arsye, futja e bullgarëve në Kushtetutë nga një pjesë e opinionit dhe e spektrit politik shihet si e dhimbshme dhe e papranueshme, jo për shkak të qytetarëve bullgarë në vend, por për shkak të presioneve të Sofjes ndër vite.

Për më tepër, futja e komunitetit bullgar në Preambulë sjell edhe pasoja konkrete institucionale. Me këtë ndryshim, komuniteti bullgar do të fitojë të drejtën për një redaksi në Televizionin e Maqedonisë së Veriut, arsim fillor në gjuhën bullgare, një përfaqësues në Komitetin për Marrëdhëniet Ndërmjet Komuniteteve në Kuvend, një ditë feste nacionale, si dhe qasje më të lehtësuar në punësime shtetërore dhe në mjete buxhetore. Pikërisht këto pasoja dhe efekte institucionale disa qarqe politike maqedonase dhe një pjesë e opinionit i interpretojnë si një lloj frike se Bullgaria mund t’i përdorë këto mekanizma për kultivimin dhe financimin e projekteve të ndryshme pro-bullgare, dhe në të ardhmen mund të paraqiten edhe kërkesa të reja politike.

Nga ana tjetër, në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar thellësisht konceptin e sigurisë në Evropë, Bashkimi Evropian ka intensifikuar procesin e zgjerimit, duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si pjesë të pandarë të arkitekturës së sigurisë evropiane. Prandaj, ky është një moment i rrallë historik dhe ndoshta shansi më i mirë që rajoni ka pasur në dekadat e fundit. Në një periudhë kur rreziku i agresionit rus mund të rikthehet diku tjetër në Evropë, mbetja e Maqedonisë së Veriut jashtë BE-së do të mund të prodhonte pasoja serioze për sigurinë dhe stabilitetin e vet vendit tonë.

Shanset historike nuk zgjasin përgjithmonë. Ato kërkojnë vendimmarrje të vështira dhe guxim politik. Nëse Maqedonia e Veriut zgjedh të hezitojë edhe këtë herë, rrezikon të humbasë një mundësi që askush nuk garanton se do të rikthehet përsëri.

Qeveritë tona mund të vazhdojnë të deklarojnë se integrimi në BE është prioritet shtetëror, por në politikë prioritet nuk është ajo që e deklaron me fjalë, por ajo që e bën me vepra. Prandaj mbërrijmë te pyetja thelbësore: A do ta bëjë Maqedonia e Veriut detyrën e saj të shtëpisë – një detyrë të pranuar vetë dhe vendimtare për të ardhmen e saj evropiane? Nëse përgjigjja është po, dera evropiane mbetet e hapur. Nëse jo, vendi rrezikon të ngecë sërish, pikërisht në një moment kur çdo humbje kohe mund të na kushtojë shumë më tepër sesa një debat i stërzgjatur politik.