Konferenca Botërore e Inteligjencës Artificiale 2023 u mbyll në Shangai të shtunën, me firmosjen e kontratave të blerjeve e investimeve me vlerë miliarda dollarë.
Wu Jincheng, drejtor i Komisionit të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Bashkisë së Shangait, tha se gjatë konferencës u nënshkruan kontrata blerjesh të synuara me vlerë 11 miliardë juanë (1.5 miliard dollarë) dhe u arritën marrëveshje për 32 projekte të mëdha investimesh me vlerë 28.8 miliardë juanë.
Një numër rekord prej më shumë se 400 kompanish morën pjesë në veprimtarinë e këtij viti, e cila kishte një zonë të përgjithshme ekspozimi 50 000 metra katrorë në zonën e vet kryesore. Të dy shifrat janë më të larta që nga viti 2018, kur nisi kjo veprimtari vjetore.

Foto: VCG
Në këtë konferencë u paraqitën gjithashtu më shumë se 30 prodhime të reja.
Wu tha se Shangai do ta përdorë plotësisht “efektin magnetik” të konferencës për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm të industrisë së inteligjencës artificiale.
Drejtori i Departamentit të Inteligjencës Artificiale të Komisionit të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Bashkisë së Shangait Wang Zhijia theksoi se ky metropol i Kinës Lindore do të shfrytëzojë plotësisht epërsitë e veta të gjithanshme, do të mbledhë burimet globale të inovacionit, do të tërheqë ekipe të cilësisë së lartë nga brenda e jashtë vendit dhe do të kthehet në një qendër të inteligjencës artificiale me ndikim ndërkombëtar.

Foto: VCG
Konferenca u organizua prej Bashkisë së Shangait dhe shtatë organeve të qeverisjes qendrore, duke përfshirë Komisionin Kombëtar të Zhvillimit e Reformës dhe Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit.




