Sfida historike e Zijadin Selës

Nga Anisa Bahiti

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut mandatohet 2 herë rresht kryeministër një njeri si Zoran Zaev, i cili nuk i ka fituar zgjedhjet. Shqiptarët nuk e morën dot kryeministrin aq të premtuar pavarësisht se i patën të gjitha mundësitë matematikore dhe politike. Sot Zaevi ka edhe më pak vota në përgjithësi, madje edhe më pak vota shqiptarësh, por pavarësisht kësaj ai u bë kryeministër, ndërsa shqiptarët u mjaftuan me zv. kryeministër asistentin e Ali Ahmetit. Më një parlament prej 32 deputetësh shqiptarë, shqiptarëve të përçarë jo vetëm u takon të bëjnë qeverinë e maqedonasve, por edhe opozitën për të çuar procesin politik drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe barazisë totale të qytetarëve pavarësisht nga etnia, por nga të drejtat sociale, ekonomia dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit. E kjo sfidë i takon politikanit tashmë të sprovuar Zijadin Sela.

Forca dhe koalicioni i tij politik u rrit ndjeshëm në zgjedhje si në numër votash ashtu edhe deputetësh. Sela njihet si një politikan me qëndrime të forta kombëtare , ende mbetet tek shqiptarët si shpëtimtari i Talat Xhaferrit në kuvend në luftë, me skifterat e Sasho Mihajllkovit, kushëri i Gruevski dhe ish shef i shërbimit maqedonas, i cili paradoksalisht sot është në krah të dyshes Zaev-Ahmeti. Sela është një mjek internist i diplomuar në Tiranë, jashtë retorikave ish jugosllave, i rritur e formuar politikisht në partinë e Arbën Xhaferrit, strugan dhe kryetar bashkie i këtij qyteti shqiptar do t’i duhet të merret me të ardhmen dhe jo të shkuarën e qytetarëve të vet. Tashmë Maqedonia e Veriut është në NATO, është drejt hapjes së negociatave, ka ndryshuar emrin, por gjendja ekonomike në 4 vitet e fundit ka ardhur në përkeqësim të vazhdueshëm.

Në njërën anë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut i kanë të drejtat të shkruara në letër e në anën tjetër vazhdon boshatisja e të rinjve dhe emigrimi masiv si rrjedhojë e faktit që në praktikë jeta është më e vështirë. Skandalet e vazhdueshme të korrupsionit qeveritar si në nivel qëndror e lokal si dhe forcimi i krimit, trafikut, drogës dhe qënieve njerëzore ka ardhur gjithnjë duke u rritur. Pushteti ka prodhuar një shtresë oligarkësh që ka ardhur duke u forcuar që nga koha e Gruevskit e më tej me Zaevin, duke i dobësuar e varfëruar në këtë mënyrë qytetarët. E të gjitha këto sfida i takojnë Zijadin Selës si kryetar opozite.

Ai duhet ta bashkojë opozitën parlamentare, pavarësisht etnisë apo ngjyrimeve politike, jo në një axhendë nacionaliste, por në një axhendë europiane, proatlantiste, antikorrupsion e antikrim që do t’i sigurojë rolin e liderit të ardhshëm në Maqedoninë e Veriut europiane, jo vetëm të liderit shqiptarëve por të gjithë qytetarëve.