‘Severna’, shteti i krijuar mbi kurrizin e shqiptarëve!

Shkruan: MEDAI SHAHOLLI

‘Severna’ e sotme si dhunuese e identitetit shqiptar është një ‘peshqesh’ më shumë nga partiçkat tona (krijesa të ‘drzhavës’) politike të cilat me patericat e tyre po mbajnë më këmbë ‘drzhavën’ që shtyp dhe nuk njeh identietin gjuhësor të shqiptarëve sikur të ishim popull nomad i shkretëtirave.

Kjo është ‘drzhava’ që krijoi ‘druzhe’ Tito në fund të LDB, mbi kurriz të shqiptarëve e cila me supremacinë e saj të vendosur që nga 1945, nuk njeh gjuhë tjetër të shtetit dhe të pushtetit në vend.

Gjuha e 20% që partiçkt tona thonë se është e barabartë me sllavishten, le ta lexojnë kushtetutën miopët shqiptarë që e kanë miratuar vet atë nen i cila thotë: ‘Gjuhë zyrtare në drzhavën tonë është edhe gjuha që përdoret sipas nenit 7 të kushtetutës në ato lokalitete ku kjo gjuhë përbën së paku 20% të popullsisë e rregulluar me ligj.

Kjo fjala e fundit e ‘rregulluar me ligj’ është sajesa ligjore që e mbajnë ata si armë mbrojtëse ndaj ankesave që do të ngrejnë shqiptarët për moszbatimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet qëndrore të ‘drzhavës’. Instituti për zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe të barabartë me sllavishten është një ‘stisje ligjore sa për sy e faqe’ për ta kënaqur injorancën shqiptare se ja kemi edhe ne institut që mbron dhe ndëshkon institucionet qëndrore që nuk e zbatojnë ligjin për gjuhët i cili nuk është tjetër veçse ligj për gjuhët e pakicave.

Pra, ‘drzhava thotë ju se shiftari do përdorni gjuhën tuaj sa dua dhe si dua unë nëpër institucione’. Lutjet dhe ankesat, dëshmitë kadastrale, noteria dhe proceset gyqësore zhvillohen në gjuhën e pushtetit, ahere ku është barazia e shqipes me sllavishten këtu!

Ja kjo është ‘arritja më e madhe historike’ e partiçkave tona se me miratimin e MO shqiptarët u barazuan me sllavët si të barabartë me statusin inekzistent të vetquajtur shtetformues. Poshtë këtij shkrimi mud të lexoni dhe qëndrimet dhe shpjegimet e Faik Konicës sesi u krijua Maqedonia e djeshme mbi kurrizin e shqiptarëve!

***
Faik Konica: Maqedonia u krijua në kurriz të kombit shqiptar!
(Shënime politike -Rreziku i teokracisë ortodokse)

Jo më pak e vërtetë është se përgjegjësia për turbullirat e sotme, dhe sidomos për atentatet e Selanikut bie fillimisht mbi qeverinë turke. Që para shtatë vjetësh, në një artikull shqip të kësaj reviste, ne kemi thënë se bullgarët po i shtonin në Turqi depot e fshehta të armëve dhe të lëndëve plasëse. Nuk po mburremi se kemi dhënë një informacion të jashtëzakonshëm. Fakti është i njohur publikisht në Manastir, dhe të gjithë aty e dinë se funksionarët turq, të çarmatosur nga ryshfetet, kanë mbyllur sytë që prej dhjetë vjetësh para organizmit të komiteteve bullgare.

Pra, turqit le të shohin njëherë vetveten për gjithë sa po ndodh sot. Ngjarjet në Maqedoni në fillim të shek. XX. Vogëlushe shqiptare në Shkup.

E kemi pasur të pamundur të flisnim për seancën tashmë të harruar të 10 marsit në Parlamentin francez, seancë kushtuar çështjeve turke. Ja se si Z. Georges Berry, deputet, e gjykon popullin më të lashtë të Ballkanit dhe ndoshta të Evropës, më i lidhur pas tokës së tij të lindjes dhe pas traditave, fryma shtëpiake e të cilit gati kthehet në monomani: “Shqiptarët, thotë ai, formojnë një popull nomad”. Vetë kjo fjalë zbulon në mënyrë të çuditshme shkallën e njohjes së disa anëtarëve të Parlamentit francez. Po le të shkojmë më tej.

Z. Francis de Pressensé mbajti një fjalim të madh, që shquhej njëkohësisht si për gjerësinë e pikëpamjeve, ashtu dhe për merakun se mos plagoste ndjenjat e ndonjë populli, se mos tregohej i padrejtë ndaj ndonjë kauze.
“Shqiptarët, tha Z. De Pressensé, janë një racë sigurisht tepër interesante, tepër e denjë për vëmendje, madje edhe për të gëzuar simpatitë e Evropës, një racë e shëndoshë, e fuqishme, e aftë për përparim; për fat të keq, e ka ndalur në njëfarë mënyre zhvillimin e saj në periudhën feudale. Shqiptarët iu kthyen Islamit me qëllim që të ruajnë armët e tyre, çifligjet dhe epërsinë e tyre; janë ende highlande, cateran [banditë, cuba] të Skocisë, si në epokën e Rob-Roy-t dhe të romaneve të Walter Scott-it”.
Është e vërtetë që shqiptarët kanë ngelur prapa. Por së pari, pavarësisht nga dukja, janë shumë më pak nga sllavo-tartarët që simpatizohen prej Z. De Pressensé. Së dyti, e si mund të shënojnë përparime shqiptarët kur Turqia, sa e këshilluar, aq edhe e terrorizuar nga politika sllave, ua ndalon çeljen e shkollave dhe të arsimimit, e drejtë kjo që u rezervohet vetëm sllavëve në Shqipëri. Shqiptarëve u ndalohet, në kuptimin administrativ e policor të fjalës, të përparojnë. Kjo padrejtësi që u është bërë, duke qenë e natyrës morale, nuk gjen kurrfarë pike të përbashkët – në retorikën profesionale të gazetarëve -, me persekutimet materiale të egra që ngjallin vetë sllavët: një fjalë goje është të thuash masakra pak a shumë të fantazuara, apo plaçkitje. Por padrejtësia nga e cila vuajnë shqiptarët është shumë më e madhe në veta pasojat që ajo shkakton: priret në fakt, as më shumë e as më pak, vetëm drejt asimilimit të racës së tyre, drejt skllavërimit të ardhshëm nga ana e batakçinjve që i thonë vetes sllavë e të krishterë dhe që pandehin se janë të qytetëruar. Një padrejtësi e tillë s’ka si t’i shpëtojë vëmendjes të një njeriu si Z. De Pressensé, me vlerë intelektuale aq të lartë dhe gjykim aq të mprehtë.

Sa për aktet e dhunës së shqiptarëve kundër bullgarëve, Z. De Pressensé le të më lejojë të vë buzën në gaz. Nëse shqiptarët do kishin shtypur bullgarët në mënyrë aq sistematike sa duan të thonë, prej kohësh nuk do kish mbetur tek ne as edhe një specie tartarësh që pushtuan vendin tonë para njëmijë e dyqind vjetësh, emigrimi i fundit i të cilëve daton vetëm në mbarim të shekullit XVIII. Në realitet, acarimi i shqiptarëve kundër bullgarëve është shkaktuar nga intrigat plot urrejtje, nga paturpësitë tinëzare dhe komploti i fshehtë dhe mbytës i fqinjëve tanë që prej pesëmbëdhjetë vjetësh.
Dhunimet e shqiptarëve, në ka vërtet dhunime, nuk janë veçse rezultat i njerëzve që kanë humbur durimin në lokalitetet kufitare; nuk mund të gjykohen dy milionë shqiptarë, nga Parga në Shkodër, thjesht mbi bazën e qëndrimit të disa qindrave shqiptarëve të Lindjes së skajshme dhe të Veriut të skajshëm të vendit. Kemi të bëjmë këtu me një përgjithësim trashanik që i shkon për shtat dredhisë ngalakaqe të tartarëve, por që nuk mund të pranohet nga mendjet serioze dhe të pavarura.

* * *
Dy agjenci prerje artikujsh na kanë dërguar që prej katër muajsh rreth dy mijë e dyqind ekstrakte të gazetave nga tërë gjuhët, që trajtojnë çështje të Shqipërisë e të “Maqedonisë”. Në këtë grumbull fletushkash nuk ka në të vërtetë veçse një rresht që bie në sy: është e një korrespondenti të gazetës Le Temps. Dhe ja: të bësh reforma në Turqi, thotë ai, do të thotë të shndërrosh një shtet fetar në një shtet laik.

Në fakt, kjo është vetë dhe vetëm e vërteta. Turqia është një teokraci; feja myslimane është feja shtetërore; gjithë jeta politike, shoqërore dhe intelektuale e Perandorisë varet nga parimet e kësaj feje, dhe gjithë veprimtaria e qeverisë priret të sigurojë ngadhënjimin e saj. Në këto kushte, të kërkosh reforma, qëllimi përfundimtar i të cilave është zëvendësimi i një shoqërie fetare nga një shoqëri civile, është si t’i kërkosh Turqisë një diçka shumë të vështirë.
Këtë çështje e kemi trajtuar po këtu vitin e shkuar. Duke bërë kazuistikë politike, nëse ju kujtohet, sugjeruam, në një Turqi të transformuar, rastin e një kryeministri armen duke urdhëruar arrestimin apo vënin nën akuzë të një Sheik-ul-Islami, ose për përvetësim fondesh publike, ose për çdo arsye tjetër të bazuar. Për cilindo që e njeh Turqinë, ja tek e sheh veten përpara një revolucioni të mahnitshëm.

Por çka është edhe më e habitshme: turqit nuk janë të vetmit që e konceptojnë organizimin e shtetit nga një pikëpamje tërësisht fetare. Elementë të tjerë të Perandorisë, për shembull bullgarët, kanë një konceptim të ngjashëm. Kemi mundur të vëzhgojmë se edhe të ashtuquajturit “maqedonë” po ngrejnë krye e po kërkojnë me ngulm përmirësime, dhe jo në cilësinë e viktimës, si të shtypur, por si të krishterë. Nuanca është tepër domethënëse dhe ata që nuk e kuptojnë janë bërë t’u qahet halli. Bullgarët revoltohen, siç e shihni, si të krishterë që na qenkan; dhe as që bëhet fjalë këtu për të drejta njerëzore. Jemi pra përballë një lëvizjeje që ka për qëllim vendosjen e epërsisë fetare.
Dhe kjo na çon në një konstatim që, siç e dimë, nuk mungon t’i çudisë ndoca gazetarë të shkretë: I vetmi element progresi në Perandorinë osmane është partia nacional shqiptare.

Në fakt, ne shqiptarët, nuk e shohim kurrë veten nga pikëpamja fetare. I respektojmë tërë besimet e sinqerta, por mendojmë se ato janë çështje të ndërgjegjes. Partia jonë – madje edhe vetë redaksia e kësaj reviste – ka në gjirin e saj laikë dhe priftërinj të të gjitha besimeve, anëtarë të klerit katolik, të klerit muhamedan dhe të klerit ortodoks. Të gjithë e ndjejnë se teologjia as që hyn në këtë mes, non est hic locus [nuk është vendi i saj]. Të bashkuar nga një dëshirë e vetme përparimi intelektual, përmirësimi politik dhe ekonomik, të gjithë këta shqiptarë kërkojnë vetëm të drejtat e tyre nga ana njerëzore.
Dhe mund ta themi me gojën plot, pa iu trembur kurrfarë përgënjeshtrimi: shqiptari më i thjeshtë i partisë nacionale, për shembull një xhandar apo një fshatar është më i aftë për ta konceptuar si duhet një shoqëri civile krahasuar me tërë ata teologë bullgarë, që me sa duket nuk shohin arsye tjetër për të qenë të lirë veç faktit se janë “të krishterë”.

Shqiptarët, cilësdo fe që t’i përkasin, i thonë vetes shqiptarë, e asgjë më tepër. Dhe të mos pandehin aspak se kjo ndjenjë është e re tek ne. Ja, merrni një in-folio botuar në anglisht në fillim të shekullit të kaluar[shek. XIX] nga Hobhouse, miku që shoqëroi Lord Bajronin gjatë udhëtimit të tij të parë në Shqipëri; është relacioni i këtij udhëtimi: e pra, në faqet e para do lexoni se që në atë kohë tashmë, shqiptarët ishin të vetmit në Perandorinë turke që, myslimanë a të krishterë, të pyetur se çfarë ishin, e quanin veten thjesht shqiptarë, në të kundërt të popujve të tjerë që e klasifikonin veten nëpërmjet fesë.
Dhe nëse kjo ndjenjë është errësuar tek shqiptarët e disa lokaliteteve, kjo ndodh për shkak të fanatizmit të importuar nga turqit, bullgarët, serbët dhe të tjerë të prapambetur ejusdem farinœ [të të njëjtit brum].

Në përfundim, shqiptarët, pavarësisht nga të metat e tyre, janë në Turqinë europiane të vetmit që janë në gjendje të konceptojnë një shoqëri, në të cilën pushteti civil asnjanës do t’u jepte të gjithëve një drejtësi të paanshme.
Lëvizja shqiptare është pra një parti moderne përparimi të vërtetë. Lëvizjet e tjera, cilado qoftë emërtesa e tyre, nuk janë veçse simotrat e saj fetare.

Do donim të përfundonim, por na duhet më parë të përshëndesim ndershmërisht politikën miqësore, dhe do thoshim gati bujare, të një Fuqie, ndikimin e së cilës në Shqipëri e kemi luftuar shpesh këtu, mes këtyre faqeve. Italia, duke marrë zyrtarisht në mbrojtje një grup shqiptarësh të persekutuar pa arsye, me sa duket ka dhënë tërthorazi një përgjigje fisnike për shtatë vitet e polemikave. I kushtojmë vëmendje përgjigjes, ndoshta me njëfarë habie, por pa zemëratë, pa mërzi. Pa dyshim, Austria ka bërë shumë për zhvillimin moral të popullit shqiptar dhe shqiptarët duhet t’i jenë asaj para së gjithash mirënjohës; por nëse Italia mbështet kauzën tonë, është e drejtë t’i falim edhe asaj një ndjenjë të çiltër mirënjohjeje.

Ja me dy fjalë faktet:

Sllavët, duke dashur medoemos ta shtyjnë sundimin e tyre të ardhshëm gjer në brigjet e Adriatikut bezdisen në këtë marshim përpara të tyren nga shqiptarët, të cilët i shohin si një grup etnik. Dhe për të sllavizuar shqiptarët, është e domosdoshme fillimisht që gjuha e tyre të mbetet në gjendjen e dialektit të palëvruar. Kështu në praktikë, ata organizojnë gjuetinë e shqiptarëve që kultivojnë gjuhën e tyre. Armët e zakonshme të kundërshtarëve tanë janë akuzat dhe shpifjet dhe për këtë arsye burgjet turke janë të mbushura me njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve është se janë kapur kush me një aritmetikë, kush me një gramatikë, kush me një poemë, dhe rrallë me ndonjë gazetë, veçse këto në gjuhën shqipe. […]
F.B.K.
Albania, Viti 7, Prill 1903, nr. 4.