Sërish dronë brenda hapësirës ajrore të Danimarkës

Dronë janë vërejtur sërish mbi Danimarkë, këtë herë mbi objektet ushtarake, pas një serie incidentesh të tilla këtë javë.

Ata u panë mbi bazën ajrore Karup, duke detyruar kështu mbylljen e hapësirës ajrore për trafikun komercial. Ngjarje të tilla janë raportuar edhe në Gjermani, Norvegji dhe Lituani.

Qarkullimi i dronëve në Danimarkë ka ngrehur shqetësime për cenueshmërinë e shtetit ndaj sulmit ajror, teksa ka nxitur frikën për përfshirjen potenciale të Rusisë, raportoi BBC.

Autoritetet daneze kanë thënë se qarkullimi i dronëve duket të jetë një “sulm hibrid”, por kanë theksuar se nuk ka prova që sugjerojnë se Moska është prapa tij.

Incidenti i fundit ndodhi mbrëmjen e së premten dhe zgjati disa orë, ka thënë oficeri Simon Skelsjaer.

Ministria daneze e Mbrojtjes ka konfirmuar praninë e dronëve në afërsi të disa objekteve ushtarake gjatë natës.

Të hënën, aeroporti i Kopenhagës u mbyll për disa orë pas disa dronëve që u vunë re. Aeroportet Aalborg dhe Billund u mbyllën po ashtu të mërkurën mbrëma.