Themelimi i një asociacioni me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe mbetet një nga kërkesat e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, për të shkuar më tej në dialog, ndërsa nuk ka treguar asnjëherë se çfarë ofron ajo për shqiptarët.
Liderët e vendit tonë janë të vendosur që mos të miratohet kjo kërkesë, përcjell “Bota sot”.
Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.
Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje në 23 pika, me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Mirëpo, pavarësisht insistimit të Serbisë që një marrëveshje e tillë të arrihet, përveç kundërshtimit nga Qeveria e Kosovës, së fundmi edhe njëherë kundërshtimi është bërë nga presidentja Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se nuk do të ketë një marrëveshje të atillë.
Osmani duke folur për këtë temë ka thënë se institucionet e vendit s’do të lejojnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, që do të rrezikonte funksionalitetin e shtetit.
Ajo në një intervistë tha se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë sikur më 2013, kur kishte votuar kundër marrëveshjes së Brukselit.
“Asociacioni ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e Brukselit ka qenë ndër dokumentet më të dëmshme sa i përket sovranitetit dhe funksionalitetit të brendshëm të Kosovës.
Por, ishte mirë që Gjykata Kushtetuese e ndaloi si të tillë, por dëmi akoma vazhdon sepse në disa raste ka ende njerëz në BE që kërkojnë që ajo të aplikohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel”, u shpreh presidentja Osmani.
Kapiti: Presidentja Osmani nuk duhet të lejoj të ketë marrëveshje me Serbinë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet analisti politik Skënder Kapiti, i cili u shpreh se një marrëveshje e tillë do të jetë në dëm të Kosovës dhe nuk duhet lejuar.
Sipas tij nëse lejohet kjo marrëveshje, atëherë do u jepte serbëve të drejtën e një minishteti serb brenda Kosovës, e që pastaj kush mund t’i pengojë ata që të mbajnë një referendum për bashkim të tyre me Serbinë.
“Që në vitin 2008 kur e kam botuar Librin tim me titull “Triumfi i Kombit” në të kam specifikuar se asgjë më tepër nuk u duhet dhënë serbëve në Kosovë se sa që do të kenë shqiptarët e tri komunave të Kosovës Lindore që janë nën Serbi. Megjithëse pakica serbe e ardhur në Kosovë si kolonë me qëllim për ta serbizuar Kosovën dhe megjithëse ata kanë liri e të drejta si asnjë pakicë tjetër kombëtare që kanë në shtetet e tjera të botës, politikanët e shtetarët e lartë të Kosovës, të gjithë paraardhësit e këtyre që janë sot, kanë bërë jo gabim, por kanë bërë tradhti kombëtare që e kanë pranuar dhe firmosur formimin e Bashkësisë së Komunave serbe në territorin e shtetit të Kosovës shqiptare. Kjo në fakt do tu jepte serbëve të drejtën e një minishteti serb brenda Kosovës, e që pastaj kush mund t’i pengojë ata që të mbajnë një referendum për bashkim të tyre me Serbinë”, u shpreh ai.
Më tej, analisti përmend marrëveshjet e dëmshme të Thaçit dhe Mustafës që i bënë Kosovës dhe sipas tij presidentja nuk do ta lejoj një ndodhi të tillë.
“Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa i kanë bërë një shërbim të madh Serbisë me këtë marrëveshje, e cila i hapi rrugën pastaj edhe projektit serb për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës e Serbisë, që në fakt do të ishte një shkëmbim territoresh shqiptare të Kosovës të territoreve më të pasura në minerale e burime ujore e strategjike të saj me territore po shqiptare të Kosovës Lindore. Kryeministri dhe Presidentja e Kosovës ndodhen sot përpara një vështirësie shumë të madhe që vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë, injorancës, korrupsionit dhe të tradhtisë që kanë bërë paraardhësit e tyre, por që duhet të mos e pranojnë zbatimin e asaj marrëveshje”, thotë Kapiti për “Bota sot”.
Mehazi: Nuk do të ketë asociacion në Kosovë

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e presidentes Osmani është vazhdimësi e deklaratës së Escobarit, që nuk do të ketë asociacion në Kosovë.
“Deklarata e presidentes së Kosovëa, Vjosa Osmanit: “se nuk do ketë asociacione siç do dhe kërkon Serbia” është shumë e qartë e decidive se brenda Kosovës nuk do të ketë asfarë dëshirash të Republikës Serbe, asnjë pushtet të kompetencave ekzekutive serbe në Kosovë dhe se të kota janë përpjekjet e presidentit të Serbisë, Vuçiqit për një mini-republikë serbe në Kosovë, po ashtu vërehet se deklarata e presidentes Vjosa Osmani është vazhdimësi e deklaratës së Escobarit të SHBA-ve, se nuk do të ketë asociacione sipas qejfeve serbe. Po sipas moduseve politike brenda kushtetutës së Republikës së Kosovë dhe se të drejtat e pakicave të serbëve do të varen nga Kushtetuta e Kosovës e jo nga qeveria e kushtetuta serbe”, theksoi ai.
Escobar, ka ndryshuar rrjedhën dhe kahen e dialogut në të mirë të Kosovës e në disfavor të Serbisë, shtoi profesori.
“Jo vetëm presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq së bashku me qeverinë serbe e vërejnë se pjesëmarrja e të dërguarit amerikan, Escobar, ka ndryshuar rrjedhën dhe kahen e dialogut në të mirë të Kosovës e në disfavor të Serbisë, kjo u pa edhe gjatë vizitës së z. Escobarit në Kosovë ku deklaroi, se, assesi nuk do lejojmë një republikë të dytë serbe në Kosovë dhe se sovraniteti i Kosovës duhet të ruhet, për çudi, me deklaratën e emisarit amerikan, Escobar, u pajtua edhe përfaqësuesi i BE-së, Lajçak”, potencoi profesori.
Kriza në Ukrainë ka ndikuar në Kosovë
Nga ana tjetër Mehazi thotë se kriza që e ka përfshirë Ukrainën ka ndikuar në Kosovë dhe kanë bërë që SHBA-të dhe BE-ja të shohin nëse Serbia dëshiron të ndikoj në Kosovë, duke shfrytëzuar këtë situatë.
“Ngjarjet luftënxitëse ruse ndaj Ukrainës kanë ndikuar edhe në Kosovë, frika e SHBA-së dhe BE-së ndaj ndikimeve ruse me anë të Serbisë në Ballkan kanë zvogëluar ambiciet e Vuçiqit në Kosovë. Sa më shumë që komplikohet situata ruse-ukrainase aq më shumë SHBA-ja, BE-ja vrapojnë për të zgjidhur dialogun e stërzgjatur të Serbisë me Kosovën. Nuk është e rastësishme që përveç SHBA-së e BE-së është kyçur edhe Mbretëria e Bashkuar me rastin e dialogut Kosovë-Serbi”, thotë profesori.
Në fund ai shton se shumë situata kanë sjellur që Osmani të jetë e prerë dhe e qartë ndaj kërkesave të Serbisë.
“Serbisë po i ngushtohet rrethi ndaj kërkesave të asociacioneve serbe, një, nga SHBA-Escobar, dy, nga BE-Lajçak, tre, nga Mbretëria e Bashkuar, Sir Stuart Peach, dhe katër, nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurtit, plus, situata e rrezikshme gjeostrategjike e Rusisë me Ukrainën, ka bërë që zonja Osmani të jetë më e prerë, më e qartë e principiele kundër kërkesave për asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë, të gjitha këto forca të bashkuara amerikane, evropiane e të Mbretërisë së Bashkuar tok, do ta detyrojnë Vuçiqin, të lëshojë pe ndaj kërkesës për asociacion serb në Kosovë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”./B.S