Anëtarë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë kanë identifikuar disa shtete prej të cilave kanë ardhur mesazhet kërcënuese dhe raportimet e rreme për bomba në javët e fundit, që kanë pasur për cak ndërtesat publike në Serbi, tha Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Është përcaktuar se tetë kërcënime të tilla kanë ardhur nga Polonia, katër nga Gambia, dy nga Irani dhe Nigeria dhe një nga Ukraina, Sllovenia dhe Rusia”, tha ministria përmes një njoftimi të mërkurën në mbrëmje.
Në njoftim po ashtu thuhet se autoritetet kanë identifikuar vendndodhjet e 19 adresave elektronike prej të cilave janë dërguar mesazhet kërcënuese për vendosje të bombave në lokacione të ndryshme në Serbi.
“Këta janë të huaj të cilët nuk jetojnë në Serbi”, u tha në njoftim.
Për këto raste, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka këmbyer të dhëna përmes Europol-it dhe Interpol-in dhe me autoritetet në Suedi, Lituani, Zvicër, Rusi dhe Hungari, por edhe me kompaninë Google.
Sipas njoftimit, 18 adresa janë të shërbimit të Gmail-it dhe një adresë elektronike është nga ProtonMail.




