Serbia tenton futjen e materialit zgjedhor në Kosovë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një zyrtar i Komisionit Republikan Zgjedhor, i cili ka tentuar të importojë materiale zgjedhor në Kosovë për referendumin e ardhshëm në Serbi, i cili do të mbahet më 16 janar.

Sipas njoftimit, koordinatori i këtij Komisioni, Marko Jankoviq, ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”.

Mes tjerash në njoftim është thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kamionët dhe ka arrestuar zyrtarin e Komisionit, si dhe vozitësit e kamionave.

Në njoftim është thënë edhe se zyrtari i Komisionit është dërguar “në drejtim të panjohur”.

Policia e Kosovës dhe OSBE-ja ende nuk janë prononcuar lidhur me këto zhvillime.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ata thanë se qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.
Më heret më 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës u kanë bërë thirrje vendeve të Quint-it që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë./rel