Ushtria e Serbisë pretendon se të mërkurën mbrëma, ka rrëzuar një dron në afërsi të Rashkës, qytetit më të afërt me Kosovën, njoftoi “B92”.
Sipas këtij mediumi, droni është rrëzuar pranë kazermës në Rashkë dhe se ishte duke e monitoruar terrenin. Autoritetet serbe ende nuk kanë folur zyrtarisht për këtë. Serbia pretendoi edhe të martën për disa dronë, që sipas saj, ishin futur nga Merdari në territor të saj.
Për këtë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, urdhëroi ngritjen e tre avionëve Mig-29 për t’i rrëzuar dronët.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, në një kundërpërgjigje për këto pretendime, tha të martën mbrëma, se këto janë arsyetime të Serbisë për të afruar ushtrinë në kufi me Kosovën dhe për të nxitur tensione.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha më 2 nëntor se ushtria serbe ka rrëzuar një dron komercial në zonën e gjerë të Kopaonikut.
Qendra e skijimit e Kopaonikut gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën.
Pasdite, njësitë e ushtrisë serbe pas detektimit dhe monitorimit, kanë neutralizuar një dron komercial që po lëvizte nga Kopaoniku drejt Rashkës, u tha në njoftim.
Siç u tha në deklaratën e ministrisë serbe, droni u rrëzua duke përdorur masat e pengesave elektronike në afërsi të objekteve ushtarake të garnizonit të Rashkës.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë nuk u dhanë më shumë detaje për dronin dhe as në pronësi të kujt ishte.




