Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë i ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili është dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa ai dhe familja e tij kanë qenë duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.

Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendër ndalimi në Serbi.

Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar së voni për Radion Evropa e Lirë se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.

“Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, sepse siç kam thënë në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës atë kohë”, ka thënë avokati.

Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke e vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.

Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.

Millan Radoiçiq – nënkryetar i Listës Serbe në kohën e kryerjes së sulmit – e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerjen e sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë.

Pasi është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, Radoiçiq është liruar, por me një ndalesë për udhëtim, ndërsa kryeprokurori e ka bërë të ditur vendimin për të ngritur një aktakuzë në fund të vitit 2024.

Pothuajse një vit më vonë, Zyra e Prokurorit në Serbi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë e ka bllokuar procesin.

Ndërkohë, gjyqi për tre prej 45 të pandehurve për rastin në Banjskë, po zhvillohet nga autoritetetet në Kosovë.

Ato kërkojnë vazhdimisht dorëzimin e Radoiçiqit për ta gjykuar për kryerjen e sulmit, të cilin Kosova e pati shpallur akt terrorist./REL