Serbia me skenar për ripushtimin e Kosovës, zbulohet qëllimi i dhuratës që ia bëri Rusia

Rusia i dhuroi Serbisë tanke tip “T-72MS” dhe makina të blinduara për qëllime zbulimi tip “BRDM-2MS” me vlerë rreth 75 milionë euro.

Dorëzimi i tyre u bë në kazermën e Nishit “Mija Stanimiroviç”.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi, i cili u shpreh se nga mjetet që mori Serbia po kuptojmë që ajo ende po synon të pushtojë Kosovën.

“Mjetet që i mori Serbia aktualisht e rrisin edhe me tej aftësinë ushtarake të shtetit serb. Tanket e tashme dhe makinat e blinduara janë fakte që tregojnë se Serbia po përgatitet për luftë. Serbia e sheh Kosovën si vend serb. Pikësynimet janë të qarta. Serbia synon ndarjen e Republikës së Kosovës, kuptohet nëse nuk e ripushton përsëri. Ky është edhe qëllimi serb ndaj Kosovës. Në Kushtetuten serbe qëndron se Kosova është pjesë jugore e shtetit serb. Këtë synim synon Serbia për ta arritur me luftë. Këtej është armatimi dhe këtë e dinë mirë shtetet e UE dhe SHBA”, u shpreh ai.

Tutje, profesori thotë se FSK duhet të armatoset edhe më shumë në mënyrë që të jetë në gjendje të mbrojë Kosovën.

Në fund ai thekson që Kosovës i duhen armë më të rënda se që i ka për ta mbrojtur popullin.

“Është tepër e qartë se nëse ik KFOR dhe SHBA vjen te sulmi ushtarak serb mbi Kosovë. Këtë duhet të dinë Kosova! Këtej i kërkohet FSK-së të armatoset dhe të jetë në gjendje vetëm për vetëm për të mbrojtur Republikën e Kosovës. Armët që i ka FSK-a nuk janë adekuate për mbrojtjen e vendit nga ushtria kriminale serbe. FSK-së i duhen mjete kundër tankave dhe aviacionit. Këtu është e fortë dhe mirë e armatosur shteti serb. Me Huawea që i ka FSK-a nuk mbrohet vendi, Republika e Kosovës i duhen armë të rënda”, përfundon Kelmendi për “Bota sot”.