Serbia importon më së shumti armë në rajon, larg nga të gjitha shtetet

Serbia ka importuar më së shumti armë të sofistikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vjetët e fundit, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime dhe Paqe (SIPRI). Edhe pse të gjitha shtetet kanë rritur shpenzimet ushtarake, dallimi në sasi të blerjes mbetet i madh.

Serbia renditet e 37-ta në botë për importe të sistemeve komplekse të armëve, duke lënë prapa edhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian, si Kroacia e Bullgaria.

Katarina Gjokiq, hulumtuese në SIPRI, ka thënë për “Deutsche Welle” në Kroaci se Serbia u ka prirë investimeve kryesisht për të ripërtërirë armët e trashëguara nga Jugosllavia dhe se edhe tensionet me Kosovën “ka gjasa të kenë nxitur më shumë mendimin se një arsenal më i mirë është kartë e fortë në negociata me akterët ndërkombëtarë”.

Në periudhën 2020-2024, vlera reale e buxhetit ushtarak në Serbi ishte gjashtë herë më e lartë se ajo e Shqipërisë, që është shpenzuesi i dytë më i madh në Ballkanin Perëndimor.

Sa shpenzuan shtetet e rajonit më 2024, për kokë banori, sipas vlerësimeve të SIPRI-it:

Serbia – 343.7 dollarë për kokë banori
Mali i Zi – 234.8 dollarë për kokë banori
Maqedonia e Veriut – 193.5 dollarë për kokë banori
Shqipëria – 191.1 dollarë për kokë banori
Kosova – 97.9 dollarë për kokë banori
Bosnjë – Hercegovina – 67 dollarë për kokë banori
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi ka njoftuar se shteti i tij do të dyfishojë kapacitetin ushtarak për një vit e gjysmë.

Sipas të dhënave të SIPRI-t, Serbia ka importuar sisteme komplekse të armëve nga 13 shtete të ndryshme në pesë vjetët e fundit. Furnizuesi kryesor ishte Kina, kryesisht për shkak të sistemeve mesatare të mbrojtjes ajrore, ndërsa pjesa tjetër përbëhet me donacione të mëdha nga Rusia dhe Bjellorusia. Sipas SIPRI-t, të dhënat mund të ndryshojnë pas kontratave që Serbia ka nënshkruar me Francën e Izraelin.

Shtetet tjera të rajonit importojnë dukshëm më pak. Shqipëria është e dyta në rajon, por e 103-ta në botë. Sipas SIPRI-t, importet e Shqipërisë janë gjashtë herë më të ulëta se të Serbisë. Kosova është e 118-ta, Maqedonia e Veriut e 138-ta, Bosnja-Hercegovina e 144-ta dhe Mali i Zi i 152-ti nga 166 blerës të armëve.