Oleg Bojko, një prej 100 rusëve më të pasur, mori shtetësinë serbe me vendimin e qeverisë së Milosh Vuçeviq në mars të këtij viti, edhe pse ai tashmë ishte nën sanksione të Australisë, Polonisë dhe Ukrainës.
Milosh Vu֛çeviq, i cili atëherë ishte kryeministër në dorëheqje, i dha shtetësinë e Republikës së Serbisë oligarkut rus dhe miliarderit Oleg Bojko në mars 2025, megjithëse Bojko në atë kohë ndodhej prej kohësh nën sanksione të Australisë dhe Polonisë – sipas Ministrisë së Brendshme të Polonisë – për lidhje me organizata kriminale dhe shërbime inteligjente ruse.
Bojko prej disa vitesh operon përmes kompanive të tij në Beograd, dhe menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve nga BE, Britania dhe SHBA-ja, u bë pronar i një firme që punon me kompani në Qipro, Rusi dhe Kazakistan.
Ligji për shtetësinë e Serbisë parashikon që Qeveria mund të japë shtetësinë të huajve “nëse pranimi i tyre në shtetësi … përfaqëson një interes për Republikën e Serbisë”.
Megjithëse vendimet e Qeverisë publikohen në “Gazetën Zyrtare”, arsyet për dhënien e shtetësisë nuk përmenden në këto dokumente. Nga ana e Qeverisë së Serbisë nuk ka pasur përgjigje ndaj pyetjeve të BIRN se cili është interesi i Serbisë që Bojko ta marrë shtetësinë, raporton N1.
Numri i shtetësive që Qeveria serbe jep ka pësuar rritje drastike që prej fillimit të luftës në Ukrainë dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe personave të lidhur me Moskën.
Nga viti 2010 deri 2015, midis pesë dhe trembëdhjetë personave e marrin çdo vit shtetësinë në këtë mënyrë, ndërsa vitet e para të luftës sollën një numër rekord të vendimeve për shtetësi – 64 në një vit. Që atëherë, vetëm rusëve u janë dhënë mbi 150 shtetësi.