Serbia, “Gogoli” i iranianëve: Milionat me Beogradin dhe rënia drastike me shtetet e tjera të Ballkanit

Ndërsa shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë reduktuar ndjeshëm aktivitetin me Teheranin nën presionin e sanksioneve ndërkombëtare, Serbia mbetet partneri kryesor tregtar dhe kulturor i Iranit në rajon, duke shënuar vëllime këmbimi që tejkalojnë fqinjët e saj, përcjell INA.

Serbia dominuese-shifrat

Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2024, vëllimi i këmbimit tregtar mes Serbisë dhe Iranit arriti në rreth 52.5 milionë dollarë, një rritje prej 15% krahasuar me vitin paraprak. Kjo shifër e vendos Serbinë shumë përpara Maqedonisë së Veriut (rreth 15.5 milionë euro import-eksport total) dhe Bosnjë-Hercegovinës (rreth 6 milionë dollarë).

Eksportet Serbe kapin vlerën e rreth 12.3 milionë dollarëve, të fokusuara kryesisht në produktet bujqësore (misër, farëra luledielli) dhe produkte të industrisë së drurit.

Importet nga Irani arritën në 40.2 milionë dollarë, ku dominojnë polimeret e etilenit, plehrat artificiale dhe frutat e thata (fistikë dhe hurma).

Ndryshe nga vendet si Shqipëria, ku marrëdhëniet diplomatike janë ndërprerë totalisht, Serbia ka forcuar praninë kulturore iraniane me Qendrën Kulturore të Iranit në Beograd administron një buxhet vjetor miliona dollarë, që mbulon botimin e mbi 10 librave në gjuhën serbe çdo vit dhe mbështet kursin e gjuhës perse për qindra studentë. Ndërsa, Qeveria serbe akordon rreth 20 bursa vjetore “Bota në Serbi” posaçërisht për studentët iranianë, shifra më e lartë në rajon për këtë shtet.

Dallimi Rajonal

Për krahasim, në Bosnjë dhe Hercegovinë, eksportet iraniane kanë rënë me 40% që nga viti 2021, kryesisht për shkak të komplikimeve në sistemin e pagesave ndërkombëtare (SWIFT). Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, siç tregojnë të dhënat e fundit të vitit 2025, eksporti maqedonas drejt Iranit është pothuajse simbolik (193,325 euro), duke e bërë Serbinë të vetmin lojtar me peshë në marrëdhëniet me Teheranin.

Maqedonia e Veriut: Varësia nga Konsumi Ndryshe nga Serbia, tregtia maqedonase me Iranin është pothuajse tërësisht e fokusuar te produktet e konsumit. Hurmat, fistikët dhe rrrushi i tharë përbëjnë pjesën dërrmuese të importit prej 8.2 milionë eurosh. Eksporti maqedonas drejt Iranit mbetet minimal, duke zbritur në vetëm 193,325 euro në vitin 2025, çka tregon një deficit të thellë tregtar.

Shqipëria dhe Kosova: Ngritja Diplomatike Në fund të listës qëndrojnë Shqipëria dhe Kosova. Për shkak të tensioneve diplomatike dhe dëbimit të diplomatëve iranianë nga Tirana, shkëmbimi tregtar ka rënë në kuota pothuajse zero. Irani gjithashtu aplikon një politikë të mosnjohjes ndaj Kosovës, duke bllokuar çdo mundësi për marrëdhënie biznesi.