Serbia e nervozuar/ Arsyet pse nipi i Adem Jasharit u emërua komandant i ushtrisë, ja mesazhi nga Osmani e Kurti

Gjatë ditës së sotme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka emëruar Bashkim Jasharin si komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Bashkim Jashari i cili është djali i Rifat Jasharit dhe nip i komandantit legjendar, Adem Jashari, në pozitën e komandantit të ushtrisë së Kosovës u emërua pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

E në pozitën e komandantit, Jashari do ta zëvendësojë komandantin e deritashëm, Rrahman Rama, i cili është thënë të ketë dhënë dorëheqje nga ajo pozitë.

“Ushtrisë që i shërben popullit, i duhet ushtari me zemrën plot dashuri për atdheun, ushtari që të përbashkëtën e vetëmohimin i lartëson në detyrën që i besohet, ushtari që të ardhmen e sheh përmes idealit të dëshmorit. Të gjitha këto vlera i zotëron gjeneralmajori Bashkim Jashari, nipi i Komandantit Legjendar, i Kryekomandantit Adem Jashari. E, nga sot ai është Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtria jonë është e re, por me pjekuri të thellë e histori të lavdishme. Vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shtylla jonë e fortë mbi gurthemelin e Republikës”, ka shkruar kryeministri Kurti pas emërimit të Bashkim Jasharit komandat të FSK-së.

Hashim Thaçi kufizoi veprimtarinë e FSK-së

E profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se me vendimin për Jasharin, Kosova dëshmoi se po rikthehet në shtet funksional.
Image
Enver Bytyçi
Foto galeri

“Emërimi i Bashkim Jasharit në detyrën e lartë të Komandantit të FSK-së është një akt, me të cilin lidershipi i Kosovës po dëshmon se është i vendosur për të qëndruar në pozitat patriotike të qeverisjes dhe për të ndërtuar një shtet funksional në shtetin më të ri në Evropë. Kosova është shteti ifundit, i cili ishte produkt i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe politikave të dhunës e terrorit serb për krijimin e Serbisë së Madhe”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Hashim Thaçi përmes njerëzve të tij në krye të FSK-së, kufizoi veprimtarinë e FSK-së.

“Por fatkeqësisht në shtetin e Kosovës pas ardhjes në pushtet të Hashim Thaçit interferuan njerëz të dyshimtë në raportet e tyre me interesat e vendit. Çfarë nuk ndodhi në 10-12 vitet e fundit në Kosovë! Nepotizëm, korrupsion, kriminalitet, lidhje kriminale të politikës, biznesit dhe segmenteve banditeske. Madje politika e së shkuarës qoi në mosveprimin dhe indiferencën për vendosjen e rendit e të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. Me gatishmëri maksimale ata nënshkruan marrëveshje për kufizimin e veprimtarisë së FSK-së dhe të forcave special, gjë që i dha mundësinë Beogradit të pretendojë sovranitet të përbashkët në veriun e Kosovës”, shprehet Bytyçi.

Sipas Bytyçit, emërimi i Bashkim Jasharit në krye të FSK-së, është sinjal i rëndësishëm për mbrojtjen e Kosovës, e cila në vazhdimësi është e kërcënuar nga Serbia.

“Por pas 14 shkurtit të këtij viti duket se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë të tjera duhen ndryshuar. Orientimi është mbrojtja e sovranitetit dhe interesave të Kosovës. Edhe emërimi i nipit të Adem Jasharit në funksionin e Komandantit të FSK-së është sinjal i rëndësishëm për mbrojtjen e Kosovës dhe interesave të saj. Dihet se ushtria është garancia e sovranitetit të një vendi. Asnjë shtet në botë nuk e bazon ruajtjen e sovranitetit të vet në forcat policore, por në forcat e armatosura, ushtrinë dhe repartet special. Është me shumë rëndësi që në krye të ushtrisë të jetë dikush me integritet dhe me përkushtimin maksimal për mbrojtjen e atdheut. Gjenerali Bashkim Jashari është ushtaraku më i devotshëm për këtë detyrë jo vetëm për shkak se i përket familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe se ai vetë ka kaluar nëpër një kalvar unik në jetën e tij e të familjes së tij në shërbim të çlirimit të vendit nga okupimi e sundimi serb”, thekson Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se komandanti i deritashëm, Rrahman Rama ishte rob i politikes.

“Ushtria dhe FSK-ja e Kosovës, si çdo ushtri në botë, ka nevojë të shtojë besimin te qytetarët dhe të bëhet garanci për jetën e tyre, për lirinë, demokracinë dhe integritetin territorial të saj. Me Bashkim Jasharin në krye bëhet FSK dhe ushtria e Kosovës bëhet me e besuar, më garantë për shtetin dhe sovranitetin e tij, më aktive në mbrojtje të saj. Jo se drejtuesit e mëparshëm nuk kishin integritetin e nevojshëm. Kam parasysh p.sh Kadri Kastratin. Ai ishte dhe mbetet një aset dhe gjeneral i merituar për FSK-në. Po ashtu dhe paraardhësi i zotit Jashari., Rrahman Rama. Por kam përshtypjen se ky i fundit e ndonjë tjetër ka qenë deri diku rob i politikës, sidomos politikës liberale në marrëdhëniet me Serbinë të Hashim Thaçit”, nënvizon Bytyçi.

“Presidentja Osmani e emëroi zotin Jashari për t’u thënë qytetarëve të Kosovës se ajo dhe qeveria Kurti ndryshojnë në koncepte, ide dhe qëndrime nga paraardhësit e tyre. Ndërkaq Bashkim Jashari do ta qojë më përpara ushtrinë dhe FSK-në në përgatitjen e saj taktike e strategjike në mbrojtje të integritetit territorial të vendit. Do ta motivojë çdo ushtar e oficer në të gjitha shkallët e komandimit më shumë se paraardhësi i tij. Si përfaqësues i familjes më të sakrifikuar në Kosovë ai jep garanci se lufta e Kosovës nuk do të shkojë dëm”, shpjegon Bytyçi.

Serbia e nervozuar

Ai thotë se kjo edhe është arsyeja pse Serbia është e nervozuar me emërimin e Bekim Jasharit.

“Për këto arsye në Beograd duken të shqetësuar dhe të nervozuar për këtë vendim të presidentes së Kosovës. Pas buxhetit prej 100 milion euro për ushtrinë, ky vendim jep dëshmi të seriozitetit që ka qeveria e sotme për ta mbrojtur Kosovën nga ndonjë provokim dhe agresion të Serbisë. Së paku janë sinjale serioze për Beogradin”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi i bën thirrje Kurtit që të mos ndalet vetëm me emërimin e Bashkim Jasharit.

“Por qeveria e zotit Kurti nuk duhet të mjaftohet vetëm me këtë emërim. Duhet mbështetje e plotë për gjithçka, me qëllim që Forcat e Sigurisë dhe ushtria e Kosovës të shndërrohen në aset dhe garanci e pakontestueshme për vendin. Jam i sigurt se dëshira dhe pasioni në FSK e Ushtri janë në shkallën maksimale. Thjesht ato duhen mbështetur financiarisht dhe moralisht nga qeveria dhe institucionet e vendit, me qëllim që kjo ushtri të konkurrojë në ushtritë moderne të NATO-s! Pra të prodhojë stabilitet, paqe e siguri jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.