Nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dërgon më së shumti kërkesa te kompania Meta për të marrë informacione lidhur me të dhënat e përdoruesve të rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, thuhet në të dhënat e fundit.
Që nga viti 2013, Meta ka publikuar raporte të transparencës në ueb-faqen e saj çdo gjashtë muaj, ku përfshihen edhe kërkesat që bëjnë institucionet shtetërore për ndarjen e të dhënave.
Shtetet po kërkojnë të dhëna nga Meta, si pjesë e hetimeve zyrtare. Shumica e këtyre kërkesave lidhen me çështje penale, sikurse vjedhjet dhe rrëmbimet. Në shumicën e rasteve kërkohen të dhëna bazike, sikurse emri, data e regjistrimit dhe kohëzgjatja e përdorimit të rrjetit social.
Për më tepër, shtetet mund të kërkojnë të dhëna për IP adresat apo për përmbajtjen e vetë llogarive.
“Për çdo kërkesë që ne pranojmë, ne me kujdes i kontrollojmë nëse ligjërisht janë të pranueshme. Ne mund t’i refuzojmë ato apo të kërkojmë më shumë detaje lidhur me kërkesat, nëse ato janë shumë të gjera apo të paqarta”, thuhet në njoftimin e Meta.
Si në vitin 2021, ashtu edhe më 2022, Serbia ka bërë numrin më të madh të kërkesave në kompaninë Meta krahasuar me shtetet e tjera në rajon. Më 2022, Mali i Zi ka bërë më së paku kërkesa, ndërkaq Kosova më 2021 kishte drejtuar më së paku kërkesa në Meta. Sa i përket statistikave në nivel botëror, vitin e kaluar shtetet dërguan mbi 476 mijë kërkesa, që është 51 mijë më shumë se në vitin 2021.
Në Ballkanin Perëndimor, Serbia prin edhe kur bëhet fjalë për kërkesat për veprime urgjente, ndonëse numri i kërkesave të tilla në vitin 2022 ka rënë në krahasim me vitin paraprak. Numri më i vogël i kërkesave të tilla – vetëm një – është dërguar nga Maqedonia e Veriut vitin e kaluar, raporton REL.