Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, tha të enjten se e ka njoftuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, se një bankë serbe nuk po i pranon mjetet financiare që Kosova po i dërgon për t’i ndihmuar shqiptarët në jug të Serbisë.
Në një shkrim në Facebook, Bislimi tha se 3.650 fëmijë shqiptarë në Luginë të Preshevës janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) atje.
Megjithatë, shtoi ai, pagesa përkatëse prej 304.511,16 euro, për furnizim me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi.
“Në të tri rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatorë”, theksoi Bislimi.
E për këtë çështje për “Bota sot” foli profesori nga Presheva, Refik Hasani.
Së pari, ai tha se këto veprime nuk janë befasuese, pasi Serbia vazhdimisht përdor politika kundër shqiptarëve dhe bllokada të vazhdueshme.
“Këto veprime të Serbisë nuk janë të parat, pasi vazhdimisht krijohen kufizime dhe bllokada, edhe pas referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992. Kjo pjesë, që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, kur janë në pyetje shqiptarët jo vetëm në këtë rajon, por edhe në Sanxhak dhe shqiptarët kudo që jetojnë në Serbi, ajo cenon, mohon, shkel, kufizon dhe diskriminon të gjitha aktet evropiane dhe konventat ndërkombëtare”./BS




