Serbët e veriut “rrethojnë” stacionin e Policisë së Kosovës, mësohet arsyeja

Dhjetra qytetarë serbë, punonjës të institucioneve të ndryshme janë mbledhur sot përpara hyrjes së Stacionit të Policisë së Kosovës dhe objektit të gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Arsyeja e grumbullimit siç raportohet nga Kossev mendohet të jetë fakti se brenda po intervistohet inspektori komunal N.R.

Avokati Nebojsha Vjaliq në një prononcim për Kossev ka thënë se N.R është paraqitur vetë në stacionin policor.

“Ai ka ardhur vetë me vullnetin e tij sepse ka dashur të sqarojë këtë situatë, të cilën nuk e ka shkaktuar dhe që po i shkakton vetëm shqetësim”, tha Vjaliq.

Vlen të theksohet se personat janë ende të grumbulluar pranë stacionit, pavarësisht deklarimit të avokatit.

Për momentin, në mesin e të grumbulluarve nuk ka zyrtarë serbë të Kosovës, siç jemi mësuar të shohim, përveç një këshilltari komunal në Mitrovicën e Veriut.